Inicohet hartimi i një Strategjie Zhvillimore Lokale
Kaçanik, 3 gusht - Ekzekutivi i Komunës e ka mbajtur takimin e rregullt të cilën e ka udhëhequr kryetari i Komunës, Besim Ilazi. Në takim ka prezantuar edhe nënkryetari i Komunës, Remzi Elezi, ndërsa janë diskutuar çështje të ndryshme të funksionimit të Komunës.
Bahri Selimi, drejtor i Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit ka thënë se është iniciuar hartimi i një Strategjie Zhvillimore Lokale e cila deri më tani i ka munguar Komunës. Ai ka thënë se përmes saj do të identifikoheshin potencialet zhvillimore dhe do të ndikonte në orientimin e kaheve zhvillimore komunale. Njëkohësisht, Strategjia do të ndihmonte në gjetjen e bashkëfinacuesve dhe partnerëve tjerë për implementimin e saj.
Drejtori Selimi duke folur për procesin e buxhetit ka thënë se në një punëtori të organizuar nga DEMOS është diskutuar procesi i buxhetit me pjesëmarrje, ndërsa duke folur për Raportin e Auditimit të vitit 2014, ai njoftoi se është hartuar Plani i Veprimit lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.
Disa nga të gjeturat të cilat janë evidentuar në Raport janë mangësi në dosjet e personelit, mungesa e dokumentacionit të pronësisë për investimet e bëra nga agjencitë tjera qeveritare, adresimi i rekomandimeve nga viti paraprak jo i kënaqshëm, dobësi sistematike në prokurim, dobësi në shpenzime jo përmes prokurimit, inventarizimi i pasurisë kapitale etj. Drejtori sqaroi se në Planin e Veprimit janë identifikuar problem sipas sektorëve në kuadër të organizatës dhe janë prezantuar hapat konkret për eliminimin e të gjeturave.
Ai shtoi se Plani do të zbatohet me përpikëri në mënyrë që të mos përsëriten të gjeturat e evidentuara në Raport. Selimi duke folur për të hyrat vetjake komunale njoftoi se gjatë periudhës janar-korrik janë grumbulluar gjithsej 256,845 euro apo 24,769 euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa ka sqaruar se vetëm gjatë muajit korrik janë inkasuar gjithsej 51,434 euro.
Fatos Koxha, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit e Mbrojtjes së Mjedisit ka thënë se gjatë javës së kaluar është bërë asfaltimi i rrugës në lagjen Dashi në fshatin Stagovë, pastaj kanë vazhduar punimet në ndërtimin e shtratit të lumit Nerodime, në ndërtimin e palestrës sportive ka është bërë armimi i i pllakës mbi katin e përdhes. Në objektin e QKMF-së, ka filluar ndarja e mureve ne brendi të objektit dhe në përgatitjen e kulmit, ndërkohë në objektin e QKRC-së dhe QKRA-së, është betonua pllaka mbi katin e bodrumit dhe momentalisht është duke u bë armimi i shtyllave të katit të përdheses.
Drejtori njoftoi edhe për ecurinë e punëve në projektet tjera të cilat janë duke u realizuar, ndërsa njoftoi se ka filluar edhe projekti që parasheh meremetimin e disa objekteve shkollore.
Ramadush Osmani, drejtor i Shërbimeve Publike ka thënë se gjatë javës së kaluar është përmbyll projekti për vendosjen e tabelave me emrat e rrugëve në tërë territorin e Komunës, ndërkohë ka vazhduar pastrimi i shtratit të lumit Nerodime, krahas pastrimit të rrugëve, bulevardit dhe parkut të qytetit. Drejtori Osmani duke folur për shërbimin zjarrfikës ka thënë se gjatë javës së kaluar është intervenuar në 5 raste për shuarjen e zjarreve.
Enver Kamishi, drejtor i Arsimit e Kulturës ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për shënimin e 10 gushtit- Ditës së dëshmorëve. Në takimin e planifikuar të mbahet nesër do të definohet e tërë agjenda e aktiviteteve që do të shënojnë këtë ditë të shënuar.
Zylfi Koxha, drejtor i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë ka thënë se Komisioni Komunal për përzgjedhjen e fermerëve përfitues të serave është duke bërë verifikimin e fermerëve me qëllim të përzgjedhjes sa më të mirë, ndërkohë që janë zhvilluar aktivitetet rutinë në sektorët e drejtorisë.