Iniciohet themelimi i Zonës së veçantë Ekonomike Amerikane
Prishtinë, 8 maj - Themelimi i Zonës së veçantë Ekonomike Amerikane është iniciuar sot në mbledhjen e Qeverisë, pas miratimit të Grupit Punues për krijimin e kësaj zone.
Grupi punues ka për detyrë të identifikoj legjislacionin, lokacionin, procedurat dhe të gjitha çështjet tjera relevante që mundësojnë themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane.
Si rezultat Grupi punues do të përgatisë tërë dokumentacionin relevant që i mundëson Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane. Ky inicim për Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është një hap i radhës që dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për partneritet me SHBA-të.
Për t’i nderuar këto raporte, në fillim të mbledhjes komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Timothy Orr, i është adresuar kabinetit qeveritar me një fjalë rasti në të cilën ka theksuar gatishmërinë e thellimit të partneritetit me Kosovën, duke e veçuar raportin me Kosovën, si raportin më unik që kanë Iowa dhe ShBA-të me ndonjë vend tjetër.
Po sot, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare, në shumën prej njëzet mijë euro, për mbështetjen e familjeve të zyrtarëve policorë që kanë humbur jetën tragjikisht në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit. Mjetet do të ndahen nga dhjetë mijë euro për secilën familje.
Gjithashtu është marrë vendim për rivarrimin e dëshmorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt. Me kërkesë të vet Kryeministrit Haradinaj, Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ofrojë përkrahje logjistike, koordinuese dhe me kapacitetet e saj gjatë tërë procesit.
Një nga vendimet më të rëndësishme të reformave shtetërore dhe përafrimit të vendit me agjendën evropiane, ka marrë dritën e gjelbër nga Qeveria e vendit, duke u krijuar Komisioni për hartimin e Projektligjit për Qeverinë. Për ligjin për Qeverinë, Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria është kjo që është dhe është funksionale, po i kryen punët e veta, mirëpo si qeveri e vendit dhe si vend që po aspirojmë të bëhemi anëtarë i BE-së, Ligji për qeverinë është i nevojshëm, një ligj i cili do të definonte numrin e resorëve, numrin e ministrive, numrin e gjithë përgjegjësve, përfshirë zëvendëskryeministrat, zëvendësministrat. Ky është një proces i cili i takon qeverisë ta bëjë.
Në përputhje me përfundimet e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në mendim thuhet se kjo nismë legjislativi do t’i kontribuonte zhvillimit dhe ruajtjes së vlerave tona historike në vazhdimësi. Mendimit të Qeverisë i është bashkangjitur edhe opinionet e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, të cilat rekomandohet që të merren parasysh gjatë diskutimit të tij në Kuvend. Gjithashtu janë bashkangjitur edhe vlerësimi i ndikimit financiar dhe përputhshmëria e Projektligjit me legjislacionin evropian.
Është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë 08/73, i datës 05.02.2016 për themelimin e Komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, janë ndarë mjete në vlerë prej 57,944.38 euro për pagesën e punëtorëve në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”.
Miratimin nga Qeveria e ka marr edhe Raporti i katërt mbi Planifikimin dhe implementimin e “Klauzolës për Investime”. Raporti është përgatitur nga Ministria e Financave me qëllim të informimit të Qeverisë, Kuvendit dhe publikut për procesin e implementimit të “Klauzolës së Investimeve”
Nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në mes të Kosovës dhe Katarit, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.
Edhe dy nisma të Marrëveshjeve Ndërkombëtare për financimin e projekteve të furnizimit me ujë në komunën e Graqanicës dhe të komunës së Istogut, kanë marr miratimin në mbledhjen e sotme. Marrëveshjet do të lidhen në mes të Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG dhe kanë vlerën 10,209,355 euro.
Në parim ka marr miratimin e Qeverisë edhe Marrëveshja për Ndihmën Juridike në Çështjet Civile ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shkarkimin e anëtarëve të bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike NH “Ibër Lepenc” sh.a. Në arsyetimin e vendimit thuhet se bordi ka miratuar vendimin për shpërblime për anëtarët e bordit dhe pagën e trembëdhjetë për të punësuarit e ndërmarrjes përkundër faktit që kjo ndërmarrje gjatë këtij viti kishte pasur afarizëm negativ me humbje në vlerë prej mbi katër milion eurosh.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është informuar për Raportin e progresit për Programin e Zbatimit të Strategjisë Minerare.
Ministri i Infrastrukturës ka informuar kabinetin qeveritar me vendimin për ndalimin e qarkullimit të automjeteve për transportin e mallrave në drejtim të pikë kalimit me Republikën e Maqedonisë, në Glloboqicë, për shkaqe të rreziqeve nga rrëshqitjet e dheut.