Inflacioni në Kosovë, i importuar
Prishtinë, 5 janar - Ngritja e çmimeve shihet si dukuri shqetësuese për konsumatorët në vend, aq më tepër kur inflacioni është i importuar nga vendet e tjera, pasi importi përbën 90 për qind, kurse eksporti vetëm 10 për qind në tregtinë ndërkombëtare.
Ngritje e çmimeve është vërejtur si rrjedhojë e pakos fiskale për produkte joelementare, pasi TVSH-ja është ngritur nga 16 në 18 për qind, kurse është ulur për produkte bazë nga 16 në 8 për qind. Kjo ngritje dhe ulje e TVSH-së për produktet në fjalë është kritikuar nga njohës të ekonomisë, të cilët kanë thënë për gazetën Epoka e re se pakoja fiskale më shumë e ndihmon biznesin sesa konsumatorët.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve në Kosovë është më i lartë për 0.1 për qind në muajin nëntor 2015 krahasuar me muajin tetor. Kurse sipas raportit të Stabiliteti Financiar të Bankës Qendrore të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 komponentët e CPI-së, si rryma, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, kanë shënuar rritje të çmimit për mesatarisht 4.9 për qind, pijet alkoolike dhe duhani për 3.4 për qind dhe veshmbathja për 1.9 për qind.
Zhvillime të ngjashme kishte edhe te çmimet e pijeve joalkoolike, të cilat shënuan rritje prej 1.1-përqindësh. Ushqimi dhe pijet joalkoolike përfaqësojnë rreth 40 për qind të shportës së konsumatorit, është thënë në raportin e BQK-së.
Uljen dhe ngritjen TVSH-së për produktet e caktuara e ka kritikuar dhe Selatin Kaçaniku, kryetar i OJQ Konsumatori.
Ne si organizatë e kemi kërkuar pakon fiskale, duke shpresuar se do të jetë një mekanizëm i sinqertë i Qeverisë, por doli e kundërta. Doli se shteti me TVSH-në e ngritur prej dypërqindësh ka fituar tri deri katër herë më shumë se ato që është dashur ti përfitonte konsumatori me uljen e TVSH-së nga 16 në 8 për qind. Mospërgatitja, veprimi gjatë pushimeve verore dhe vonesa e udhëzimeve janë dështim prapa së cilës fshihet një mosinteresim dhe jogatishmëri e ATK-së dhe Ministrisë së Financave. Tatimpaguesit nuk janë bizneset, por tatimpagues të vetëm në Kosovë janë konsumatorët, sepse asnjë biznes pa e shitur produktin nuk mund ta inkasojë as çmim, as vlerë të TVSH-së, ka thënë ai.
Kaçaniku e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të strategjisë zhvillimore. Republika e Kosovës nuk ka treg të brendshëm e as ekonomi të tregut dhe, së këndejmi, smund të ketë as strategji të zhvillimit ekonomik, e cila është shumë delikate. Dihet botërisht se mbi 90 për qind të nevojave tona i importojmë, prandaj në këto rrethana buxhetin e shtetit nuk e krijon ekonomia, por pjesën më të madhe e përbëjnë remitencat, ka thënë ai.
Kaçaniku është shprehur se ka shumë arsye të cilat ndikojnë në shkarkimin e inflacionit në Kosovë. Ai inflacionin prej 0.1-përqindësh e ka quajtur si barometër joreal.
Kjo shkallë prej 0.1-përqindësh nuk është reale. Për tu bindur ju dhe lexuesit tuaj se nuk është shkallë reale, dua të dal te shënimi, se potenciali socio-ekonomik i Kosovës është për një buxhet prej pesë miliardë eurosh, e jo për 1 miliard e 600 milionë euro, të cilin institucionet tona nuk janë të afta ta grumbullojnë. Në mungesë të tregut të brendshëm, të ekonomisë së lirë, të strategjisë së zhvillimit ekonomik dhe në mungesë të veprimit të ligjeve, ne i humbim çdo vit nga tre miliardë e gjysmë euro nga buxheti i Kosovës dhe, nëse ne këtë humbje të buxhetit e llogarisim me inflacion, atëherë do të thotë se ky shtet ka falimentuar, ka deklaruar Selatin Kaçaniku, kryetar i OJQ Konsumatori.