Industrialistët e MUSAID te gatshëm të investojnë në Kosovë
Prishtinë, 9 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një delegacion të Shoqatës së Pavarur të Industrialistëve dhe Biznesmenëve, MUSİAD, të prirë nga kryetari për Ballkan, Bilalk Kara.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj i njoftoi biznesmenët për agjendën e qeverisë në përgjithësi, dhe në veçanti fokusin në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe nxitjen e investimeve të huaja direkte.
“Jemi të angazhuar në hartimin dhe plotësimin e legjislacionit i cili do të ndihmojë krijimin e lehtësirave për investitorët e jashtëm potencialë dhe rris zhvillimin ekonomik të vendit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova ka shume arsye për të investuar në të, resurset natyrore, taksat e ulëta, numri i madh i të rinjve të motivuar dhe energjik për punë, si dhe përkrahja e madhe institucionale ndaj bizneseve.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast potencoi angazhimin maksimal të Qeverisë në fuqizimin e sektorit privat dhe e mirëpriti interesimin e Industrialistëve dhe Biznesmenëve, nga MUSAID, për mundësinë e investimeve në Kosovë, duke thënë se Kosova është ambient i favorshëm për zhvillim të biznesit.
Ndërkaq, Bilalk Kara, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen, dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të shoqatës që drejton për mundësinë e investimit në Kosovë.