15 Janar 2025

INDEP: Politikbërja e Limituar e Të Bërit Biznes

Prishtinë, 24 tetor - Instituti për Politika Zhvillimore prezantoi të mërkurën gjetjet e analizës së tyre Politikbërja e Kufizuar e të Bërit Biznes.

Punimi është një analizë e politikave publike për përmirësimin e mjedisit së ndërmarrësisë në Kosovë përmes përmirësimit të indikatorëve të Raportit të të Bërit Biznes të Bankës Botërore.

“Raporti i të Bërit Biznes është një vlerësim shumë i kufizuar i gjendjes reale së sferës së mundësimit të ndërmarrësisë në një shtet,” ka thënë autorja e punimit Dita Dobranja.

Ajo gjithashtu ka shtuar se për shkak të kufizimeve të këtij raporti, fakti që ministri të tëra në Kosovë e fokusojnë politikbërjen e tyre tërësisht në këtë sferë është shqetësues.  

Nëpërmjet kësaj analize, INDEP ka bërë një vlerësim të mënyrës se si arrihet te përfundimet dhe klasifikimi i gjetjeve të këtij raporti të Bankës Botërore.

Sipas INDEP, Raporti i të Bërit Biznes merr parasysh çështje relativisht sipërfaqësore për sa i përket vlerësimit të vërtetë të ambientit të ndërmarrësisë në një vend.

Disa çështje të cilat nuk konsiderohen nga ky raport janë problemi i korrupsionit, efikasiteti i gjyqësorit, sundimi i ligjit, ndikimi i qeverisë në biznese, infrastruktura, ambienti makroekonomik, tregu i punës, etj.

“Ndërkohë që përparimi i Kosovës në radhitje për 19 vende është shenjë e mirë, kjo nuk reflekton realitetin rreth sfidave të të bërit biznes në vend,” ka thënë Darsei Canhasi, bashkautor i analizës.

Canhasi gjithashtu ka shtuar se bizneset dhe investitorët e huaj bëjnë analiza shumë më të detajuara para se të marrin vendime për të investuar në Kosovë, një fakt që rrallëherë reflektohet nga institucionet tona.

Sipas INDEP, hartimi i politikave të zhvillimit ekonomik duhet të bëhet sipas një plani makroekonomik të fokusuar në zhvillimin e vendit, dhe jo klasifikimit në një raport të vetëm. Një qasje e tillë ndaj zhvillimit ekonomik në vend do të siguronte përmirësime në të gjitha fushat e operimit të bizneseve. Kjo do të siguronte zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. 

Përfundimet e raportit

Raporti i të Bërit Biznes është një instrument i dobishëm që ofron statistika rreth cilësisë së ambientit të të bërit biznes për 185 vende të ndryshme botës.

 Sidoqoftë, vetë Banka Botërore, hartuesi i këtij raporti, i pranon publikisht një mori kufizimesh siç është fokusi vetëm në qytetin më të madh, vetëm në ekonominë formale dhe vetëm ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Për më tepër, Banka Botërore thekson që fokusi i drejtpërdrejt vetëm në përmirësimin e renditjes në TBB nuk do të garantojë përmirësim të mjedisit të të bërit biznes.

Si rezultat, siç sugjerojnë edhe përvojat e vendeve të tjera, ndryshimet në praktikë kërkojnë politika përtej raportit TBB dhe investitorët nuk e konsiderojnë raportin si instrument për vendimmarrje.

Institucionet të Kosovës e kanë përdorur raportin e TBB si mjet bazë për përpilimin e politikave lidhur me të bërit biznes e mbase edhe të gjithë zhvillimit të sektorit privat.

Themelet e këtyre politika janë draftuar në Planin e Banskos, apo siç quhet zyrtarisht Planin e Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës 2011-2014, ku specifikisht thuhet që përmirësimi në TBB është objektivë e 23 aktivitete dhe krijimi i task forcës së të bërit biznes.

Si rezultat, Qeveria e Kosovës i ka miratuar një seri ligjesh për përmirësimin e mjedisit afarist për NVM-të. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke u bazuar në një raport që assesi nuk garanton përmirësime reale të gjendjes, i ka zbatuar pesë reforma për të rritur  rezultatin në tre tregues të raportit TBB.

Raporti i Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes fokusohet në masë të madhe në rregulloret dhe kornizat legjislative që rregullojnë secilin nga indikatorët e matur në këtë raport.

Kosova deri më tani ka shfaqur gatishmëri të madhe për amandamentimin e ligjeve dhe akteve nënligjore për t’i harmonizuar ato me direktivat Europiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Sidoqoftë, problemi madhor i Kosovës nuk është mungesa e ligjeve të përditësuara me legjislacionin ndërkombëtar por zbatimi i tyre në praktikë.

Si rezultat, përmirësimi i Kosovës në renditjen e raportit të të bërit biznes është drejtpërdrejt i ndërlidhur me përmbajtjen e ligjeve dhe atë se çka ato tentojnë të rregullojnë, e jo me zbatimin e tyre. Kjo do të thotë që përmirësimi i renditjes në raportin TBB nuk paraqet pasqyrë të qartë të zhvillimeve reale në vend.

Vendeve në zhvillim, si Kosova, iu ndodhë edhe më keq kur politikbërësit limitohen tërësisht në reforma selektive sa për të përmirësuar pozitën në TBB, duke shkaktuar kështu stagnime të qëndrueshme të zhvillimit të sektorit privat.

Kjo kryesisht për shkak se i gjithë potenciali politik e administrativ është përqendruar në përmirësimin e TBB-së, duke lënë anash të gjitha fushat tjera të rëndësishme. Pas kësaj analize, mund të përfundojmë se ky limitim ka qenë i gabuar dhe veç sa ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Për më shumë, përkundër gjithë angazhimeve ekskluzive për të përmirësuar pozitën në TBB, institucionet e Kosovës nuk e kanë arritur një gjë të tillë, meqë përmirësimi është vetëm për 19 vende.

Kosova hipotetikisht mund të jetë në top reformuesit e raportit e edhe në  top 40 apo 20 vendet në renditje të TBB edhe nëse gjithë reforma politike e administrative e së ardhmes shkon në këtë drejtim.

As atëherë krizën ekonomike në rritje e sipër nuk do ta mund ta zhdukin përmes investimeve të huaja direkte, meqë siç tregojnë praktikat e vendeve tjera, renditja e mirë në TBB nuk garanton rritjen e nivelit të investimeve të huaja në atë shtet.

Kjo shihet nga praktikat e vendeve si Maqedonia e Gjeorgjia, suksesi i të cilave në renditjen në raportin e të bërit biznes nuk ka rezultuar në rritjen e investimeve.

 Duke pasur parasysh që një ndër qëllimet më të rëndësishme të një ekonomie në zhvillim, si kjo e jona, është tërheqja e investimeve të huaja direke, përqendrimi i përmasave të mëdha në përmirësimin e renditjes së shtetit në raportin e TBB paraqet fokusim jo efiçient të politikave zhvillimore.

Si një vend që ka nevojë për një zhvillim të hovshëm, të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik, Kosova nuk mund të presë të mësoj prej gabimeve të saj, siç ka bërë sivjet me raportin e TBB.

Gabimet e vendeve tjera, sidomos vendeve me një situatë të ngjashme politike, sociale e mbi të gjithash ekonomike, duhet të shërbejnë si mësim sistematik në krijimin e politikave publike.

Limitimi i tyre në indikatorë të përzgjedhur të suksesit mund të tingëllojnë mirë në letër, por nuk e përmirësojnë mjedisin e biznesit në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)