Inaugurohet Qendra për shërbim të tatimpaguesve në Mitrovicë
Mitrovicë, 7 maj - Vlerësojmë lartë punën e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në ofrimin e shërbimeve të reja në fushën e digjitalizimit që do të ju lehtësoj punën qytetarëve dhe tatimpaguesve për të marrë shërbime më të shpejta dhe të sakta të cilat kërkohen nga ATK-ja, ka deklaruar sot në Mitrovicë ministri i Financave Besim Beqaj me rastin e hapjes së qendrës për shërbim të tatimpaguesve.
Me këtë rast ministri Beqaj theksoi se ATK-ja me sukses është duke i realizuar planet ambicioze për vitin 2014 me të cilat është paraparë rritja e të hyrave të brendshme për 22% dhe kjo reflekton përkushtimin tonë për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme Administratën Tatimore dhe për të rritur kapacitetet e saj në mënyrë që të fillohet gradualisht me një zhvendosje më domethënëse të mbledhjes së të hyrave nga kufiri në brendi të vendit.
Njëkohësisht në ATK kemi filluar dhe shpejtë do të thellojmë edhe procesin e reformës së brendshme, i cili ka për qëllim avancimin e mëtejmë me qëllim të realizimit të detyrave gjithnjë e më të mëdha të cilat do ti ketë në kuadër të orientimit tonë që të hyrat e brendshme të janë dominante në buxhetin e vendit, tha ministri Beqaj.
Ministri Beqaj me këtë rast ka theksuar se tatimpaguesit po kërkojnë tretman të barabartë dhe në këtë drejtim ATK-ja duhet të angazhohet që të siguroj një gjë të tillë, ndërsa hapja e kësaj qendre mundëson përveç tjerash një qasje të shpejtë në ofrimin e shërbimeve nga ATK-ja për bizneset dhe qytetarët.
Ne si Qeveri dhe Ministri e Financave angazhohemi për zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe gjithashtu edhe për digjitalizimin e shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës. Gjithashtu ne fuqishëm angazhohemi për respektim të ligjit dhe kërkojmë bashkëpunim të gjithanshëm të agjencive që do të pamundëson evazionin fiskal dhe luftën kundër ekonomisë joformale, tha ministri Beqaj.
Ai tha se lufta kundër ekonomisë joformale është prioriteti i Qeverisë dhe Ministrisë së Financave dhe nënvizoi se janë duke u ndërmarr hapa konkret në realizimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit në realizimin e saj dhe se rezultatet e treguara në 3 muajt e parë të këtij viti në mbledhjen e të hyrave nga Dogana dhe Administrata Tatimore japin argumente të forta se ekonomia joformale me sukses mund të luftohet edhe në Kosovë.
Pra, është një përkushtim i koncentruar dhe i fuqishëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Doganave por edhe Ministrisë së Financave, dhe në përgjithësi Qeverisë së Republikës së Kosovës që të jemi sa më afër me tatimpaguesin, ta luftojmë së bashku ekonominë joformale, tha ministri Beqaj.
Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, duke falënderuar ministrin Beqaj për përkrahjen e vazhdueshme dhënë këtij institucioni tha se kjo që bashkërisht me Ministrin po vizitojmë rajonin e Mitrovicës tregon edhe njëherë përkushtimin dhe përkrahjen e ministrit Beqaj për zhvillimin e ATK-së në përgjithësi.
Zotimi i jonë i përbashkët para disa muajve ishte se do të modernizojmë dhe digjitalizojmë edhe qendrën e shërbimit të tatimpaguesve në Mitrovicë dhe regjionet tjera, dhe kjo po bëhet realitet, krejt kjo në funksion të zotimeve tona për të ofruar shërbime kualitative. Kjo po kthehet me një mirëbesim dhe deklarim të vetë tatimpaguesve, tha drejtori i ATK-së.
Ai theksoi se ATK-ja, do të vazhdoj me ngritjen dhe lansimin edhe të shumë produkteve të reja të rëndësisë së veçantë si shpalosja e pasqyrave financiare sipas standardeve të IFES, për të lehtësuar të gjithë tatimpaguesit në përmbushjen e të drejtave dhe obligimeve të përcaktuara me ligj.