18 Nëntor 2024

Inaugurohet Projekti i Binjakëzimit: Mbështetja për Statistikat e Kosovës

Prishtinë, 6 mars - Sot në Agjencionin e Statistikave të Kosovës (ASK) është mbajtur takimi i inaugurimit të Projektit të Binjakëzimit të BE-së “Mbështetja për Statistikat e Kosovës”, i cili ka për qëllim të fuqizojë sistemin statistikor në Kosovë, në përmirësimin e Llogarive Kombëtare dhe Statistikave të Biznesit, në përputhje me standardet e BE-së, modernizimin e statistikave të TI-së dhe desitinimin përmes internetit.

Këshilltari i parë i zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, Dren Zeka theksoi se ky projekt është vazhdim i mbështetjes që po jep Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të BE-së në fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe perspektiven e saj euro-atlantike.

“Kjo mbështetje, është vazhdimësi e mbështetjeve që BE-ja ka dhënë për Agjencionin e Statistikave të Kosovës, sidomos në realizimin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, një projekt i suksesshëm që ndodhi në vitin 2011 në Kosovë”, theksoi ai dhe shtoi se kjo mbështetje po vazhdon edhe në përgatitjen e regjistrimit të bujqësisë.

Përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Angeliki Votsoglou, foli për rëndësinë dhe karakteristikat e binjakëzimit, e cila theksoi se binjakëzimi është një instrument që bazohet në partneritet administrativ, për të forcuar kapacitetet infrastrukturore dhe administrative të institucioneve.
“Binjakëzimi ndihmon për t’i prezantuar praktikat më të mira të BE-së në lidhje me legjislacionin e BE-së”, tha ajo.

Ndërsa, Jesper Ellemose Jenes, nga Statistikat e Danimarkës, pohoi se vendi i tij mburret me statistikat, pasi është numër një në sistemin e statistikave të Bashkimit Evropian në projektin e binjakëzimit.

“Ne si institut i Statistikave në Danimarkë, këto projekte i realizojmë me partnerë. Për këtë projekt do të kemi ndihmë nga Statistikat e Finlandës, Ukrainës, Instati në Itali dhe një organizatë që do të përfaqësojë Statistikat e Mbretërisë së Bashkuar”, theksoi ai dhe shtoi se kjo është një ndërmarrje e madhe.

Ai theksoi se vendet ku ata janë duke punuar,  janë vende kandidate për në BE, siç është edhe rasti i Kosovës, një vend që në një të ardhme të afërt mund të bëhet kandidate për anëtarësim në BE.

Ilir Berisha, Drejtor i Departamentit te Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare në ASK dhe udhëheqës i Projektit të Binjakëzimit në Kosovë, theksoi se misioni i ASK-së është që të plotësojë kërkesat e përdoruesve me të dhëna statistikore cilësore, të besueshme,  objektive dhe me kohë.

“Përdoruesit kryesor janë: vendimmarrësit  (institucionet qeveritare në nivel qendror dhe lokal), komuniteti ndërkombëtar, institucionet kërkimore akademike, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile dhe publiku i gjerë”, tha Berisha dhe shtoi se binjakëzimi ndihmon në forcimin e  kapaciteteve të ASK-së, në përmirësimin e kualitetit të llogarive kombëtare, përmirësimin e Statistikave Strukturore të ndërmarrjeve dhe rritjen e mbulueshmëris së statistikave afatshkurta dhe forcimin e Sistemit të Teknologjisë Informative.

Projekti i Binjakëzimit mbështete nga Bashkimi Evropian, ndërsa Agjencioni i Statistikave të Kosovës në partneritet me Statistikat e Danimarkës e realizon Projektin, i cili do të zgjasë 24 muaj. Synimi i përgjithshëm i projektit, është të fuqizojë sistemin statistikor në Kosovë, me fokus në përmirësimin e Llogarive Kombëtare dhe Statistikave të Biznesit, në përputhje me standardet e BE-së, dhe modernizimin e statistikave të TI-së dhe desitinimin përmes internetit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)