16 Nëntor 2024

Inaugurohet objekti i ri i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjakovë

Gjakovë, 16 nëntor - Kryetarja e Komunës së Gjakovës, znj. Mimoza Kusari Lila, sot ka pritur për vizitë ministrin për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Republikës së Kosovës, Arban Abrashi.

Ministri Abrashi fillimisht është takuar me kryetaren Kusari-Lila në kabinetin e kryetares dhe pastaj bashkërisht me përfaqësues të tjerë të institucioneve kanë bërë përurimin e Qendrës për Aftësim Profesional në Gjakovë.

Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila në takimin më ministrin Abrashi dhe anëtarët e kabinetit të ministrit, ka biseduar rreth projekteve të komunës së Gjakovës në bashkëpunim me MPMS si dhe përkrahjes së kësaj ministrie për komunën e Gjakovës.

“I falënderohem Ministrisë për angazhimin  dhe bashkëpunimin me komunën e Gjakovës, e cila sot po ofron një hapësirë të re që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, ku të gjithë ata që dikur nuk kishin mundësi, ju rikthehet hapësira për të përfituar njohurit bazike dhe avancuese për profesione të ndryshme”, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se kjo qendër bashkëkohore do të ofroj mundësi të jashtëzakonshme për aftësimin profesional të frekuentuesve jo vetëm nga Gjakova por edhe për komunat fqinje.

Kryetarja ka falënderuar Ministrin për krijimin e kushteve të aftësimit profesional të kandidatëve me programe të nevojshme për tregun e punës ku rrjedhimisht do të krijohen kushte dhe mundësi të reja për punësim.

Ndërkohë, ministri Abrashi para mediave ka thënë se për Gjakovën sot është nhë ditë e begatshme dhe e mirë.

“Ne sivjet po krijojmë kushte të infrastrukturës fizike, për të vazhduar në vitin e ardhshëm për të ngritur kuadrat me programe të reja për nevojat e tregut të punës jo vetëm në Gjakovë por edhe për komunat si Deçani, Rahoveci, Malisheva e tjera”, është shprehur ministri Abrashi.

Ministri Abrashi ka bërë të ditur se Komuna e Gjakovës ka investuar në dhënien e truallin për të ndërtuar objektin e QAP-it ndërsa investimet nga MPMS për këtë objekt kanë qenë mbi 500 mijë euro.

“Është një investim prej 2000 m2, në vlerë 500 mijë euro investime dhe nuk do të ndalemi me kaq. Tani jemi në procedurë të pajisjes së kabineteve me makinerinë e nevojshme. Me këtë investim ne kemi përfunduar infrastrukturën fizike dhe u dakorduam me kryetaren që viteve të ardhshme të punojmë edhe në kurrikulën profesionale”.

Abrashi ka shtuar se në vitet në vazhdim do të dalin edhe  projekte të reja të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve njerëzore përmes angazhimit të komunitetit të biznesit, odave ekonomike dhe palëve tjera të interesit, për një aftësim profesional.

Ministri Abrashi, ka premtuar se së shpejti të gjitha kabinetet do të kompletohen duke ju ofruar mundësi shumë të mira për të ardhmen dhe aftësimin e kuadrove të reja. Në inaugurimin e objektit të QAP në Gjakovë, kanë marrë pjesë përfaqësues dhe struktura të ndryshme, shoqërore, politike e profesionale.

Në këtë rast, edhe drejtori i QAP Shaban Laha, ka dhënë një historik të shkurtër për veprimtarin e QAP, që para dhe gjatë luftës ishte shkatërruar tërësisht,  ndërsa nga vitit 2001 filloi me aftësimin e frekuentuesve me tri profesione për të arritur në ditët e sotme  në aftësimin e punëtorëve në 6 profesione.      

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)