Inaugurohet ndërtesa e re e Komunës së Klinës
Klinë, 27 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka bërë përurimin e ndërtimit të objektit të ri të Komunës së Klinës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka shprehur kënaqësinë që me rastin e festave të Nëntorit po viziton komunën e Klinës dhe ka përgëzuar autoritetet komunale për objektin madhështor të Komunës, të ndërtuar në Klinë.
"Pa luftën çlirimtare të Kosovës nuk do të kishim liri dhe pa lirinë e Kosovës nuk do të kishim vepra të tilla madhështore. Përgëzoj kryetarin e komunës Bashota, dhe uroj të gjithë qytetarët e Klinës për këtë vepër madhështore, që është bërë falë qeverisjes së mirë, falë punës së gjithë spektrit politik dhe të angazhimit konkret të kryetarit Bashota" - theksoi kryeministri Thaçi.
"Në këtë objekt do të punojnë njerëzit e zgjedhur nga qytetarët, që do t'u shërbejnë të gjithëve dhe unë si kryeministër dhe Qeveria e Kosovës ndjehemi jashtëzakonisht mirë dhe të nderuar që marrim pjesë në inaugurimin e objektit të ri të Komunës së Klinës. Ky është urimi më i mirë për festat e Nëntorit" - tha z.Thaçi.
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahje që kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë dhënë për realizimin e shumë projekteve të infrastrukturës, që kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Klinës. Z. Bashota u shpreh se ka marrë premtimin nga kryeministri për vazhdimin e investimeve në këtë rajon.