19 Nëntor 2024

Importohen mbi një mijë vetura

Albulena MAVRAJ

Prishtinë, 21 janar - Gjatë vitit 2013 në Kosovë janë importuar 1 198 vetura të reja që, krahasuar me vitin 2012, ka një ngritje të lehtë në numrin e veturave të importuara, të cilat janë sjellë nga vende të ndryshme evropiane. 


Zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DK), Adriatik Stavileci, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se në vitin 2013, krahasuar me atë 2012, ka pasur rënie të taksave për 1.198.00 euro, shprehur në përqindje - 100.00 për qind. “Gjatë vitit 2013 ka pasur rënie të taksave, pasi në vitin 2012 vlera e taksave kapte shumën 4,734,016.23 euro, kurse gjatë vitit 2013 kjo shifër kishte rënë në 4,444,109. 01 euro”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, gjatë vitit 2013 kishte rënie të akcizës dhe të TVSH-së nga importimi i veturave të reja në Kosovë. “Gjatë vitit 2012 shuma e grumbulluar nga akcizat e importit të makinave të reja ishte 69,000.00 euro, kurse gjatë 2013-s kjo shifër u zvogëlua në 64,100.00 euro. Po ashtu, kishte edhe rënie të TVSH-së nga 2,979,329.05 euro sa ishte në vitin 2012, në 2,794,499.61 në vitin 2013”, ka deklaruar Stavileci. 


Sipas Stavilecit, gjatë vitit 2013 kishte rënie të numrit të veturave të vjetra të importuara në Kosovë dhe të taksave doganore.

“Gjatë vitit 2013 u importuan 17 062 makina të vjetra, që shënon rënie për 3 559 copë të veturave krahas vitit 2012, pasi në vitin 2012 u importuan 20 621 makina. Në vitin 2013 vlera e akcizës nga veturat e vjetra ishte 13,378,700.00 euro, që kishte një rënie krahasuar me vitin paraprak, pasi në vitin 2012 kjo vlerë ishte 15,820,000.00 euro. Rënie kishte edhe në vlerën e TVSH-së nga importimi i veturave të vjetra, pasi në vitin 2013 TVSH-ja ishte 14,332,123.90 euro, kurse në vitin 2012 kjo vlerë ishte 17,040,435.30 euro. Në total kishte një rënie të theksuar të taksave nga importimi i këtyre veturave në vlerë prej 17,062,00 eurosh, shprehur në përqindje - 100 për qind”, ka bërë me dije Stavileci.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Importuesve të Veturave të Reja, Bujar Hoxha, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës shprehin interesim të vazhdueshëm për blerjen e veturave mirëpo, për shkak të kushteve ekonomike, mundësitë për blerje janë të vogla.

“Interesim ka, mirëpo numri i blerësve nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar. Në këtë situatë kanë ndikuar kushtet jo të volitshme ekonomike në Kosovë si dhe kushtet jo të volitshme nga bankat kosovare”, ka deklaruar Hoxha. Sipas tij, pengesë në blerjen e veturave po paraqesin Dogana dhe ligji, i cili është ndryshuar për makinat e përdorura.

“Në vendet e rajonit ka marrëveshje në bazë të cilave nuk paguhet doganë për automjete, mirëpo në Kosovë pagesa e doganës po ndikon në çmimin më të lartë të veturave, duke bërë kështu të mos ketë ngritje të nivelit të shitjes. Po ashtu, ligji, i cili lejon hyrjen e veturave në Kosovë deri në tetë vjet të përdorimit, paraqet problem për importimin e veturave të reja”, ka thënë ai. Hoxha ka rekomanduar që ky ligj të ndryshohet.

“Me ligj duhet të rregullohet lejimi i veturave maksimum deri në pesë vjet përdorim, e jo siç është tani, deri në tetë vjet”, ka theksuar ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)