Importet Kosovare 2013, Serbia zë vendin e parë
Prishtinë, 2 gusht - Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me Eksportet dhe Inportet sipas shteteve si dhe Bilancin Tregtar në vitet 2005-2013 në Republikën e Kosovës. Bilanci Tregtar mat diferencën midis vlerës së eksporteve dhe importeve për një ekonomi.
Eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të shitura apo kryera jashtë vendit, ndërsa inportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të blera apo kryera nga vendet e tjera. Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT).
Deficit Tregtar:
Megjithëse me vëllim tregtar më të ulët se Republika e Shqipërisë, Kosova shënon Deficit Tregtar më të lartë. Në vitin 2013 Dificiti Tregtar i Republikës së Kosovës është 2.15 miliard Euro ndërsa në republikën e Shqipërisë 1.89 miliard Euro.
Eksporte:
Në vitin 2005 eksportet kosovare dominoheshin nga Maqedonia, Serbia e Gjermania, ndërsa eksportet shqiptare dominoheshin nga Italia, Greqia dhe Kosova.
Në vitin 2013 ky raport ka ndryshuar në favor të Italisë, Shqipërisë e Maqedonisë për eksportet kosovare dhe Italisë, Spanjës e Maltës për eksportet shqiptare.
Shteti kosovar ka eksportuar në vitin 2013 vlerën 74 milionë euro drejt Italisë, 44 milionë euro drejt Shqipërisë dhe 26 milionë euro drejt Maqedonisë.
Importet:
Për importet e kryera nga Kosova situata në vitin 2005 paraqitet në favor të Maqedonisë, Serbisë e Gjermanisë, për tu zhvendosur drejt Serbisë, Gjermanisë e Italisë në vitin 2013.
Në Shqipëri në vitin 2013 importet kryesore vinin nga Italia, Greqia e Kina.
Republika e Kosovës në vitin 2013 ka importuar 285 milionë euro nga Serbia, 253 milionë euro nga Gjermania dhe 229 milionë euro nga Italia. Në total importet e këtij viti shënojnë vlerën e 2.4 miliardë eurove.