IKD: Mungesë bashkëpunimi në luftimin e korrupsionit në prokurimin publik
Prishtinë, 11 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të shtunën kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë publikuar raportin analitik: “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”, i cili raport është analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e veprave penale që ndërlidhen me prokurimin publik.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD ka thënë se sistemi i drejtësisë ende nuk i është qasur me seriozitet parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, ndonëse potenciali korruptiv në këtë sferë është mjaft i lartë.
Shala deklaroi se gjetjet e këtij raporti analitik tregojnë për një politikë jo adekuate të hetimit dhe ndjekjes penale nga Prokurori i Shtetit, i cili nuk ka treguar rol proaktiv në ngritjen e aktakuzave me vetiniciativë dhe për trajtim të ngadalshëm të këtyre rasteve nga sistemi gjyqësor.
Sipas Shalës, përkundër ekzistimit të shumë mekanizmave anti-korrupsion dhe faktit se të gjitha institucionet publike janë edhe autoritete kontraktuese, ku potenciali për korrupsion është i lartë, kemi pak denoncime të këtyre rasteve në Prokurorin e Shtetit. Po ashtu, sipas Shalës, problematike paraqitet edhe injorimi i raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit nga Prokurori i Shtetit, ku Prokurori i Shtetit nuk ka ngritur asnjë aktakuzë pas hetimit të iniciuar mbi gjetjet e këtyre raporteve.
Ndërkaq, hulumtuesi Mirvet Thaqi tha se gjetje tjetër e këtij raporti është edhe mosfokusimi adekuat i sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik përmes konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Krahas kësaj, Thaqi ka thënë se në asnjë rast të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, nuk është aplikuar Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.
Monitorimi sistematik që IKD i ka bërë rasteve të korrupsionit në prokurimin publik, sipas Thaqit, ka nxjerrë në pah trajtimin jo efikas që i bën gjyqësori këtyre rasteve:
“Sipas gjetjeve të IKD-së nga monitorimi sistematik i këtyre rasteve, ajo çka vërehet është mungesa e efikasitetit me të cilën gjykatat në Kosovë i kanë trajtuar këto raste. Rastet e respektimit të afateve ligjore në trajtimin e këtyre rasteve nga gjykatat paraqiten vetëm si përjashtuese. IKD dhe INPO në këtë raport kanë identifikuar katër (4) raste të kësaj natyre në të cilat gjatë vitit 2020 nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore. Dy (2) prej këtyre aktakuzave janë të ngritura në vitin 2016, një (1) aktakuzë e ngritur në vitin 2017 dhe e fundit e ngritur në vitin 2019”, ka thënë Thaqi.
Në fund, Thaqi ka prezantuara edhe rekomandimet konkrete që lidhen me trajtimin e rasteve të korrupsionit në fushën e prokurimit publik nga sistemi i drejtësisë.
Ndryshe, IKD gjatë vitit 2020 dhe gjashtë mujorit të parë të vitit 2021 kishte monitoruar gjithsej 164 seanca në 31 raste të korrupsionit, të ndërlidhura me prokurim publik, nga të cilat sipas raportit të publikuar, 40 kishin dështuar të mbaheshin, derisa 124 janë mbajtur.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e IKD-së “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit në prokurimin publik”.