22 Dhjetor 2024

IKD: Masat për parandalimin e dhunës kundër grave janë represive

Prishtinë, 10 nëntor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon analizën: “Masat represive për mbrojtjen e grave”, i cili raport është rezultat i analizës që IKD i ka bërë Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka iniciuar në Kuvend Projektligjet për Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Këto Projektligje, ndër të tjera, kanë për synim përcaktimin e dispozitave për ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në luftimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Përkundër qëllimit tejet legjitim për të luftuar këto dukuri serioze kriminale, IKD gjen se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria nuk kanë ndjekur rrugën adekuate për ta bërë këtë. Kjo pasi IKD gjen se të dy këto Projektligje shoqërohen me shkelje të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Po ashtu, IKD gjen se këto Projektligje janë në kundërshtim me disa prej parimeve bazë të drejtësisë penale. Në disa raste, IKD ka gjetur se këto dispozita janë në kundërshtim edhe me interesat e viktimave, të cilat interesa synohet të avancohen përmes këtyre Projektligjeve.

Përcaktimi i Projektligjit të Procedurës Penale se në të gjitha rastet e dhunimit dhe dhunës në familje duhet të caktohet paraburgimi nga gjykata është në kundërshtim me Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo krijon potencial të lartë të keqpërdorimit përmes raportimeve të pa vërteta, madje edhe ndaj grave, mbrojtja e të cilave synohet përmes këtyre Projektligjeve.

Projektligjet kanë përcaktuar se në rastet e dhunimit dhe dhunës në familje aplikohen dënime plotësuese të cilat nuk janë në harmoni me synimet e dënimeve plotësuese.

Përmes dënimeve plotësuese si ndalimi i blerjes në ankande, aplikimit si investitor strategjik, punësimit në sektorin publik dhe drejtimit të automjetit, Projektligjet kanë ndjekur një qasje represive ndaj të dënuarve për këto raste, e cila qasje nuk njihet në të drejtën penale bashkëkohore.

Kjo qasje represive është në kundërshtim me qëllimet e dënimit. Përmes këtyre dënimeve, rritet potenciali për recidivizëm, potencial ky i kundërt me qëllimet e dënimit.

IKD gjen se publikimi i aktgjykimeve në rastet e dhunës në familje krijon kundër efekt për viktimat e dhunës në familje. Veçanërisht në një shoqëri të vogël si Kosova, viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët lehtësisht mund të identifikohen. Shkelja e konfidencialitetit në këtë rast shkon në kundërshtim me interesat e viktimave të dhunës në familje. Po ashtu, si dispozitë e cila paraqet dëmtim të interesave të viktimave të dhunës në familje është edhe shkurtimi i afateve të hetimit të këtyre rasteve.

Sa i përket dhunës ndaj grave në jetën publike, IKD ka gjetur se kjo dispozitë është në kundërshtim me barazinë para ligjit, për shkak se gjinia e viktimës konsiderohet element i veprës penale.

Ky inkriminim mund të krijojë probleme në ushtrimin e të drejtës për të protestuar në raste të caktuara me interes publik, përderisa nuk është e përcaktuar se çfarë nënkuptohet me “dhunë fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike”.

Duhet theksuar faktin se inkriminimi i kësaj vepre penale nuk është çështje e njohur në vendet evropiane. Ky lloj inkriminimi, gjenezën e ka në shtetet e Amerikës Latine, ku Bolivia ka qenë shteti i parë që në vitin 2012 e ka inkriminuar këtë vepër penale. Edhe konteksti i këtyre shteteve, është i ndryshëm nga rasti i Kosovës dhe kështu nuk legjitimohet ky lloj inkriminimi.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)