06 Nëntor 2024

IFC mbështet sektorin privat në Evropë dhe Azinë Qendrore

Vjenë, 18 shtator - Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, e zgjeroi veprimtarinë e saj në Evropë dhe Azinë Qendrore gjate vitit fiskal 2018 me investime që arritën në 2.9 miliardë dollarë, duke ndihmuar kështu në zgjerimin e ekonomive të rajonit, rritjen e aksesit në financime për bizneset e vogla dhe adresimin e ndryshimeve klimatike.

Gjatë vitit fiskal që përfundoi me 30 qershor 2018, IFC-ja ka investuar 2.26 miliardë dollarë nga fondet e saj si dhe ka mobilizuar 0.68 miliardë dollarë nga investitorë të tjerë. Investimet në rajon u orientuan drejt sektorit financiar duke rritur kredidhënien për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvilluar agrobiznesin dhe përmirësuar infrastrukturën urbane të rajonit.

IFC-ja gjithashtu ka mbështetur tregtinë ndërkufitare në rajon me 1.8 miliardë dollarë, përmes 28 bankave të cilat moren pjesë në programin e saj global të financimit të tregtisë.

Angazhimet më të mëdha të IFC-së gjatë vitit të fundit fiskal ishin në Turqi (1.1 miliardë dollarë), Rumani (336.4 milionë dollarë), Serbi (190.5 milionë dollarë), Ukrainë (129.1 milion dollarë) dhe Kazakistan (111.5 milionë dollarë).

Disa nga transaksionet më të rëndësishme përfshijnë: 109 milionë euro në financimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme në Serbi përmes parqeve energjetike të erës, një financim prej 120 milionë dollarë për sektorin e agrobiznesit në Ukrainë dhe një investim prej 75 milionë dollarë për të mbështetur gratë sipërmarrëse në Turqi.

Wiebke Schloemer, Drejtoreshë e IFC-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha se për vitet në vijim fokusi i IFC-së në rajon do të jetë "mbështetja e zhvillimit të sektorit privat në hapat e parë të tij në disa nga vendet më të varfra dhe të prekura nga konfliktet, ndërkohë që do vazhdojë të punojë në vendet me të ardhura të mesme për të promovuar inovacionin dhe konkurrencën, efiçiencën e energjisë dhe infrastrukturën e qendrueshme urbane".

IFC-ja gjithashtu ka zbatuar 79 projekte këshillimore në rajon, të cilat u përqendruan në përmirësimin e legjislacionit të biznesit, në adresimin e ndryshimeve klimatike së bashku me sektorin privat dhe në ndihmesën ndaj kompanive vendase për përmirësimin e qeverisjes korporative dhe praktikat mjedisore e sociale.

Gjatë vitit të ardhshëm fiskal, IFC-ja do të vazhdojë të përqendrohet në projekte me ndikim të lartë zhvillimor që mund të ndihmojnë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, promovimin e përfshirjes financiare dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)