IFC mbështet Prishtinën për të përmirësuar mjedisin e biznesit
Prishtinë, 30 qershor - Korporata Ndërkombatare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore nënshkroi marrëveshje me Komunën e Prishtinës, për të përmirësuar mjedisin afarist nëpërmjet thjeshtëzimit të procedurave administrative dhe përmirësimit të shërbimeve, që do të ndihmojë në uljen e kostos dhe riskut të të bërit biznes në Prishtinë.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, me rreth 200,000 banorë, është komuna e katërt e përfshirë në Projektin e Klimës së Investimeve të IFC-së.
Qëllimi i projektit është përmirësimi i klimës së investimeve në Kosovë në nivelin qëndror dhe lokal për investitorët vendas dhe të huaj. Projekti i Klimës së Investimeve po zbatohet nga IFC në bashkëpunim me Sekretariatin e Shtetit për Cështje Ekonomike të Zvicrës (SECO).
IFC do të mbështesë Komunën e Prishtinës për të organizuar në mënyrë efektive dhe për të thjeshtëzuar procedurat administrative si licencat, lejet, certifikatat dhe aprovimet.
Projekti gjithashtu do të mbështesë autoritetet vendore në krijimin e një regjistri elektronik të procedurave administrative të Komunës, i cili do të jetë i qasshëm për publikun. Kjo do të rrisë transparencën në marrëdhëniet ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve vendore dhe do të nxisë investime të reja në Prishtinë.
Kosova u bë anëtare dhe pjesëmarrëse në IFC në vitin 2009. IFC ka investuar në Kosovë kryesisht në sektorin financiar dhe atë të prodhimit.
Shërbimet këshilluese të IFC-së në Kosovë kanë për qëllim të përmirësojnë klimën e investimeve, performancën e kompanive të sektorit privat dhe të tërheqin më shumë pjesëmarrje të sektorit privat në zhvillimin e projekteve të infrastrukturës.
Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni financiar zhvillimor më i madh botëror i fokusuar ekskluzivisht në sektorin privat. Duke punuar me sektorin privat në më shumë se 100 vende, ne përdorim kapitalin, ekspertizën dhe influencën tonë për të ndihmuar në eleminimin e varfërisë ekstreme dhe promovimin e prosperiteti për të gjithë.
Në vitin financiar 2013, investimet tona arritën një masë prej $25 miliardë, duke përdorur fuqinë e sektorit privat për të krijuar punësim, nxitur inovacionin, dhe duke iu qasur problemeve më të rënda të zhvillimit në botë.