IFC e gatshme për promovimin e Kosovës si vend të përshtatshëm për investime
Prishtinë, 14 tetor - Gjatë qëndrimit në Washington për Takimet Vjetore të Grupit të Bankës Botërore, Ministri Hekuran Murati u takua me Zëvendës Presidentin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) për Evropë, z. Alfonso Garcia Mora, ku diskutuan për performancën ekonomike të Kosovës dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Përgjatë takimit, Ministri Murati e njoftoi Garcia Mora lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbështetjen e prodhuesve vendore, me ç’rast të dyja palët u pajtuan në rëndësinë e sektorit prodhues si mekanizëm shtytës për zhvillim ekonomik afatgjatë të vendit.
Më tej, Ministri e informoi delegacionin për mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, si fuqia punëtore e re dhe e talentuar, procedurat e thjeshta tatimore, si dhe së fundmi edhe themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila siguron krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për investitorë.
Nga ana e tij, Zëvendës Presidenti Garcia Mora shprehu gatishmëri për zhvillimin e mundësive të bashkëpunimit në mes të IFC dhe sektorit prodhues e perpunues në Kosovë, si dhe promovimin e Kosovës si vend të përshtatshëm për investime.
Takimet Vjetore të Grupit të Bankës Botërore mbledhin së bashku ministra të financave dhe ekonomisë, parlamentarë, akademikë, si dhe përfaqësues të bankave qendrore, sektorit privat dhe shoqërisë civile për të diskutuar çështjet me interes global në fushën e zhvillimit ekonomik.