ICG: Probleme shqetësuese në sistemin e drejtësisë në Kosovë
Bruksel, 20 maj - Grupi ndërkombëtarë i krizave u ka bërë thirrje autoriteteve vendase e ndërkombëtare në Kosovë që të punojnë për luftimin e korrupsionit dhe për reformat në sistemin e drejtësisë. Në raportin e këtij grupi mbi sundimin e ligjit në Kosovën e pavarur, thuhet se ajo duhet të forcojë sistemin e saj të dobët gjyqësor dhe të sigurojë sundim të ligjit në mbarë territorin e saj, nëse synon përparimin dhe njohjen më të gjerë ndërkombëtare.
Raporti shqyrton gjendjen e policisë dhe gjykatave në shtetin e ri dhe rekomandon që qeveria, EULEX-i dhe pjesa tjetër e pranisë ndërkombëtare të punojnë që të luftojnë korrupsionin, të miratojnë reformat e nevojshme ligjore, të rekrutojnë numër më të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të përmirësojnë aftësimin e tyre.
Qeveria ka bërë disa ndryshime pozitive, por nuk ka treguar vullnetin politik për të krijuar një gjyqësor të fortë dhe të pavarur, ka thënë Marko Prelec, Drejtor i Projektit për Ballkani i Grupit të Krizave, duke nënvizuar se pa sundimin e ligjit vendi do të mbetet i varfër dhe i izoluar.
Grupi tërheq vërejtjen se Kosova ka trashëguar një sistem gjyqësor të dëmtuar rëndë me një histori të diskriminimit të ndërlidhur me Sllobodan Millosheviqin. Nën Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë bërë përmirësime, por procesi i kalimit në vetëqeverisje nuk ka qenë i lehtë, thuhet në raport ku numërohen edhe dështime të Misionit të OKB-së për krijimin e policisë dhe gjyqësorit më të frytshëm.
Grupi tërheq vërejtjen se institucionet e dobëta ligjore kanë lejuar krimin e organizuar dhe korrupsionin të rriten. Zyrtarët e lartë të policisë u detyrohen politikanëve dhe janë të ngadalshëm në përshtatjen e metodave bashkëkohore, ndërsa gjykatat kanë shumë raste të pazgjidhura sa që një pjese të madhe të popullatës edhe iu mohohet drejtësia.
Statusi i diskutueshëm i pjesës veriore të kontrolluar nga serbët e ka lënë atë pa një sistem funksional të drejtësisë penale. Për të luftuar këtë, EULEX-i duhet të propozojë një kompromis për caktimin e numrit të ulëseve për gjyqtarët serb dhe shqiptarë, ndërsa policia duhet të veprojë kundër shkelësve të ligjit në këtë rajon.
Pothuajse askush prej atyre me të cilët flasim në terren nuk vëren që Qeveria aktuale e Kosovës mbështetë sundimin e ligjit, dhe disa mendojnë se mosgatishmëria e saj për të trajtuar korrupsionin tregon mungesë mbështetjeje për investimet e huaja, thotë Sabine Freizer, Drejtoreshë e Programit për Evropë në Grupin e Krizave. Kosova citohet të ketë thënë ajo, nuk mund të pres më gjatë për të garantuar sundimin e ligjit, nëse dëshiron të ketë një të ardhme të suksesshme ekonomike dhe politike.