Hyrja e Kroacisë në BE do të nxitë ekonominë e vendit
Zagreb, 20 qershor - Pranimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian (BE) do të ndihmojë rritjen e ekonomisë së këtij vendi në një periudhë afatmesme, sipas një raporti të publikuar të mërkurën nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Kroacia do të bashkohet zyrtarisht me BE-në më 1 korrik të këtij viti.
Raporti thekson se Kroacia ka nevojë për reformim të mëtejshëm të administratës publike përballë borxhit të madh të jashtëm.
Ekonomia e Kroacisë ka qenë në stanjacion vitet e fundit dhe papunësia mbetet në 20 për qind. Mbështetja nga publiku për hyrjen në BE është vetëm pak më shumë se 50 për qind, teksa vjet ishte 66 për qind, njofton media vendore.