Hurgulica: 100 % po zbatohet reciprociteti
Prishtinë, 18 gusht - Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Naim Hurgulica, e ka vlerësuar lart vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.
Ai ka thënë se me vendosjen e këtyre masave Kosova ka treguar se është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova me vendosjen e këtyre masave ka treguar se është shtet i pavarur e sovran dhe në këtë formë ka përmbushur një obligim ligjor dhe kushtetues. Gjithashtu, Kosova, duke treguar se është shtet, është treguar e gatshme ti respektojë marrëveshjet dhe obligimet ndërkombëtare, ka thënë Huruglica, duke i bërë thirrje Serbisë ti njohë vulat doganore të Kosovës.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Huruglica ka thënë se Dogana e Kosovës është duke e zbatuar me përpikëri këtë vendim të Qeverisë për reciprocitet.
Ai ka deklaruar se me vendosjen e këtyre masave në tregun e Kosovës ka ulje të kontrabandës dhe rritje të të hyrave në pikat e tjera doganore. Me aplikim e masave të reciprocitetit më 20 korrik nuk ka asnjë indikacion të rritjes së kontrabandës në tregun e Kosovës, përkundrazi ka ulje. Reciprociteti për mallrat serbe është duke u respektuar qind për qind.
Nga informatat që kemi nga KFOR-i, edhe në veri të Kosovës është duke u zbatuar në përpikëri parimi i reciprocitetit, është shprehur Huruglica, duke shtuar se zëvendësimi i produkteve serbe është duke ndodhur nga Turqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi.
Edhe pse ka thënë se ka bashkëpunim të mirë dhe në baza ditore me EULEX-in, Huruglica e ka akuzuar këtë mision se nuk e ka zbatuar parimin e reciprocitetit në veri të Kosovës. Ndërkaq, ka deklaruar se është rritur bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, sidomos pas veprimeve të 25 korrikut.
Dogana e Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës (PK) dhe deri tani në këtë drejtim nuk ka pasur kurrfarë problemi. Ka mobilizim më të madh nga ana e PK-ja për të na ndihmuar në luftimin e kriminalitetit ekonomik, sidomos pas ngjarjeve në veri të vendit më 25 korrik, ka thënë Huruglica.