Hulumtimi i ri kërkon rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve
Prishtinë, 1 nëntor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dhe projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) bëjnë lancimin e raportit të ri: Kush kujdeset? Kërkesat, ofertat dhe opsionet për rritjen e mundësive të kujdesit të fëmijëve në Kosovë.
Ky raport, shqyrton nivelin e kërkesës për shërbime të kujdesit për fëmijë në Kosovë, ofertat aktuale nga ofruesit publik dhe privat të këtyre shërbimeve, si dhe kërkesat ende të papërmbushura për shërbime të kujdesit për fëmijë në Kosovë. Poashtu, përmban rekomandime specifike për zyrtarët, donatorët dhe akterët e tjerë.
Në Kosovë, shkalla e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore është ndër më të ulëtat në botë: 18.1%. Disa studime kanë treguar se përgjegjësitë për ofrimin e kujdesit në shtëpi kontribuojnë në këtë pjesëmarrje të ulët të grave.
Në shumicën e kulturave, grave u caktohen detyrat dhe përgjegjësitë tradicionale gjinore të punës së kujdesit pa pagesë. Kujdesi pa pagesë mund të ndikojë negativisht në nivelin e arsimimit të grave, në pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore, në përfshirjen politike si dhe në nivelet e varfërisë gjatë jetës.
Në këtë raport, RrGGK argumenton se Kosova duhet ta njohë publikisht vlerën e punës së kujdesit për fëmijë që ndërmirret nga gratë; të zvogëlojë kohën që gratë kalojnë duke u kujdesur për fëmijë, përmes rritjes së mundësive të shërbimeve të kujdesit; si dhe të inkurajojë rishpërndarjen e punës të kujdesit për fëmijë tek burrat, komuniteteti dhe shteti. Transformimi i punës së kujdesit për fëmijë, i cili aktualisht nuk paguhet, në punë me pagesë mund të kontribuojë në të ardhmen në përmirësimin e suksesit edukativ të fëmijëve, në krijimin e vendeve të reja të punës, uljen e papunësinë, dhe uljen potenciale të varfërisë së grave të pensionuara.
Siç shpjegohet në hollësi në këtë studim, RrGGK-ja ka përllogaritur se investimi në qendra të kujdesit për fëmijë në përputhje me Objektivat e Barcelonës të Komisionit Evropian (KE) do të mund të krijonte të paktën 9,989 vende të reja të punës në arsim.
Kjo do të mund të kontribuonte, të paktën, me 50.6 milionë euro si të hyra të reja dhe me 2 milionë euro si tatime të paguara çdo vit. Këto shifra nuk marrin në konsideratë vendet e reja të punës, të ndërlidhura me qendrat e kujdesit, që do të mund të krijoheshin ose të hyrat e reja materiale për prindërit që aktualisht nuk punojnë e të cilët do të ishin në gjendje të hynin në punë si fuqi punëtore.
Korniza ligjore e Kosovës në mënyrë të qartë përcakton themelet për rritjen e mundësive të kujdesit për fëmijë. Gjithashtu, në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Kosova duhet të angazhohet maksimalisht që të ulë papunësinë e grave, të përmirësojë vijueshmërinë në institucione parashkollore, të luftojë diskriminimin ndaj grave, ku të gjitha këto janë të ndërlidhura me rritjen e mundësive të kujdesit për fëmijë.
Ekzistojnë disa modele të mundshme për rritjen e mundësive të kujdesit për fëmijë, siç paraqiten në raport: qendrat publike të kujdesit për fëmijë të financuara nga shteti; partneritetet publiko-private (PPP-të); qendrat me bazë në komunitet; dhe, në të ardhmen, ndërmarrjet shoqërore.
Ky hulumtim, është bazuar në anketa me familje, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, me 491 nëna të papunësuara të cilat kanë fëmijë; një anketë me 519 gra dhe burra të papunësuar; intervista me 61 punëdhënës; intervista me 51 qendra publike dhe private të kujdesit për fëmijë; si dhe intervista me zyrtarë publikë.
Në fund, duke marrë parasysh se PPSE dhe RrGGK besojnë fuqishëm se dëshmitë mund të sigurojnë informata për veprim, këto prezantime do të përcillen me një thirrje të PPSE-së për aplikime në Fondin e Mundësive, me qëllim të rritjes së mundësive të kujdesit për fëmijë. PPSE do të ndajë grante për biznese private, iniciativa me bazë në komunitet, njësi administrative publike, si dhe OSHC që janë të interesuara të investojnë në zgjidhje të qëndrueshme për rritjen e kujdesit të fëmijëve në Kosovë.