Hoxhaj fton bizneset gjermane të investojnë në Kosovë
Prishtinë, 29 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të martën një grup të ndërmarrësve nga Gjermania, të cilët po vizitojnë Kosovën.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj i ka njoftuar biznesmenët gjermanë për të arriturat e gjithanshme në Kosovë, duke veçuar progresin në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social.
Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj foli për angazhimet e fuqishme të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, sukseset në këtë drejtim dhe projektet e reja që po implementohen për avancimin e mëtutjeshëm të kushteve për biznesin.
Hoxhaj theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte optimale për bizneset e huaja që të investojnë në Republikën e Kosovës.
Shefi i diplomacisë kosovare veçoi rëndësinë që ka për Kosovën tërheqja e investimeve nga Gjermania, duke iu referuar faktit se Gjermania është një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.
Delegacioni i ndërmarrësve gjermanë i udhëhequr nga Dr. Peter Spary dhe Carsten Wege, vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë.
Ata theksuan se kanë ardhur që të shohin për së afërmi Kosovën si vend potencial për investime dhe se do të ftojnë edhe investitorë të tjerë gjermanë për të investuar në Kosovë.