Hoxha fton për kryerjen e obligimeve që dalin nga përkrahja buxhetore sektoriale
Prishtinë, 26 Prill - Në takimin e Grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar takimin, duke theksuar se ndërlidhja me përkrahjen buxhetore sektoriale, është negociuar në kuadër të programit IPA 2016, në pjesën e dytë.
Ministria e Integrimit Evropian, vuri në dukje Ministrja Hoxha, është institucioni kryesor përgjegjës për të siguruar zbatimin e treguesit të parë të Kontratës për Përkrahje Buxhetore Sektoriale për Reformën e Administratës Publike.
“Ky tregues kërkon përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, përmes zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, duke shtuar se ky është viti i parë i zbatimit të këtij treguesi, dhe Ministria ka punuar në zbatim me rishikimin e Programit të MSA-së në shtator të vitit të kaluar.
Për këtë vit, ceku Ministrja, fokusi është vënë në tri drejtime: Planifikimin realist, Ndërlidhjen me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe dokumentet tjera vendore dhe Lehtësimin e raportimit, duke vendosur kritere më strikte për planifikim afatshkurtër, duke centralizuar më tepër procesin, si dhe duke ofruar udhëzime për përllogaritje të kostos buxhetore të reformave të planifikuara.
“Cilësia e planifikimit të Programit të MSA-së, është përmirësuar ndjeshëm në tri drejtime kryesore: Reduktimin e numrit të masave afatshkurtra për rreth 45%, nga 959 masa vitin e kaluar në rreth 538 këtë vit. 145 prej tyre janë masa legjislative, ndërsa 393 janë masa zbatuese; Ndërlidhjen e rreth 70% të masave afatshkurtra me reformat e dakorduara në konkluzionet e strukturave të MSA-së; dhe Ndërlidhjen e afër 80% të masave afatshkurtra me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë (PVPQ): gjithsej 279 masa afatshkurtra të Programit të MSA-së janë pjesë e kësaj të fundit; prej tyre, 38 nga 40 projektligjet e parapara me këtë program janë pjesë e Programit Legjislativ të Qeverisë; ndërsa 241 nga 393 masa zbatuese të Programit të MSA-së janë pjesë e PVPQ-së”, theksoi Ministrja Hoxha.
Presim që të gjitha institucionet e përfshira në kuadër të përkrahjes buxhetore sektoriale, të angazhohen për kryerjen e obligimeve të tyre të marra gjatë procesit të negocimit të përkrahjes buxhetore sektoriale dhe në kuadër të procesit të dialogut të vazhdueshëm që kemi me BE-në për këtë çështje, theksoi Ministrja Dhurata Hoxha.