08 Nëntor 2024

Hoti: Veteranëve do t’u paguhen pensionet

Prishtinë, 15 tetor - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në Klan Kosova” ka thënë se buxheti për vitin 2017 është buxhet zhvillimi dhe i përmbushjes së të gjitha obligimeve të disa viteve në shumë sfera.

Ai ka deklaruar se rritja e arkëtimit nga Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës si dhe një disiplinë në shpenzime kanë bërë që për dy vjet të hyrat buxhetore të rriten për rreth 300 milionë euro, njofton Klan Kosova.

“Në dy vitet e fundit kemi pasur rritje rekorde të të hyrave buxhetore nga aktivitetet e rregullta – Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, arrin deri në 16 për qind. Kjo na ka mundësuar që për dy vjet të rrisim të hyrat buxhetore për gati 300 milionë euro. Ne kemi trashëguar zhvillimin ekonomik rreth 1 për qind, ndërsa vitin e shkuar rritja ka qenë rreth 4 për qind. Po ashtu kemi zvogëluar shpenzimet rrjedhëse dhe kështu kemi përmirësuar strukturën buxhetore. Po ashtu në këtë buxhet hyjnë edhe mjetet që presim t’i marrim nga AKP dhe huat nga marrëveshjet me organizata ndërkombëtare”.

“Në parashikimin e të hyrave të rregullta buxhetore është marrë parasysh edhe efekti i hyrjes së MSA-së në fuqi. Por të hyrat e rregullta nga doganat janë rritur konsiderueshëm, megjithë disa milionë që arkëtojmë më pak si rrjedhojë e kësaj marrëveshje. Në bazë të parashikimit nga AKP presim që të arkëtojmë rreth 88 milionë euro. Deri tash nga ky organizëm ne kemi marrë rreth 66 milionë euro”.

Hoti ka qartësuar se kjo rritje nuk do të jetë barrë për qytetarin dhe bizneset përmes rritjes së taksave, ndërsa ka paralajmëruar një pako të re fiskale – të dytën e Qeverisë Mustafa, duke treguar edhe fokusin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

“Ne nuk do t’i befasojmë bizneset dhe qytetarët me rritje taksash. Tani jemi duke përgatitur pakon e dytë fiskale, që mund të prekë akcizat, por jo taksat për bizneset apo qytetarët”.

“Nuk vihet në dyshim pasja e buxhetit prej 2 miliardë eurosh. Ka pasur skeptikë që kanë dyshuar edhe si do ta përmbyllim vitin e parë të qeverisjes. Dhe për shkak të problemeve të mëdha vitin 2014 e kemi përmbyllur me deficit prej 2.4 për qind të GDP-së, gjë të cilën e kemi zvogëluar tash në 1.3 ose më pak deficit në raport me GDP-në”.

“Projektet më të mëdha, për nga shpenzimet, do të jenë hekurudhat dhe rrugët rajonale. Pjesa tjetër e buxhetit do të jetë në shëndetësi, arsim, e të ngjashme”.

Ministri i Financave ka deklaruar se të gjitha linjat buxhetore janë dakorduar shifër për shifër me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me të cilin qeveria ka partneritet, njofton Klan Kosova

“Ky buxhet ofron bazë për shpenzimet elementare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për pajisje dhe rekrutim të oficerëve të rinj. Në sferën e drejtësisë është shtuar buxheti po ashtu. Do të vazhdohet të mbështetet bujqësia, edhe përmes financimit ndërkombëtar. Me këtë buxhet do të përmbyllen të gjitha obligimet të cilat i kemi tash e disa vjet. Skemat sociale marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, që është i dakorduar shifër për shifër me Fondin Monetar Ndërkombëtar. E kemi dyfishuar buxhetin për veteranët e luftës”.

Sa i përket rritjes së pagave në sektorin publik, Hoti ka thënë se ato do të jenë në përpjesim të drejtë me rritjen ekonomike të vendit, vec rritjes 0.5 përqindëshe si rrjedhojë e përvojës së punës. Ministri po ashtu ka theksuar se pret që deri në fund të mandatit të përmbushet premtimi për punësimin e 120 mijë personave.

“Rrogat në sektorin publik rriten po aq sa ka rritje ekonomike vendi. Së pari çdo vit rritet 0.5 për qind për përvojën e punës. Buxheti për paga vitin tjetër shkon afër 600 milionë euro. Por duhet të kemi parasysh që pagat në sektorin publik janë dukshëm më të mira se ato në sektorin privat. Sa i përket punësimit, kemi rreth 20 mijë qytetarë që kanë hyrë në skemën e pagesës së kontributit dhe Trustit Pensional. Unë besoj që jemi në rrugë të mirë për ta përmbushur premtimin për vende të reja të punës”.

“Nëse shikojmë premtimet e dhëna, besoj që jemi duke i përmbushur mirë premtimet e dhëna. Ne i kemi rritur dukshëm investimet kapitale dhe duke i orientuar në sektorë që kanë nevojë më shumë. Kemi filluar prokurimin elektronik. Kemi vendosur disiplinë fiskale”.

“Shumica e bizneseve që ne i vizitojmë tregojnë për miliona euro përfitime nga politikat fiskale që kemi vendosur. Kemi ndërtuar një sistem shumë transparent të qasjes së bizneseve në Administratë Tatimore dhe Doganë. Kjo e ka rritur shumë transparencën”.
/klankosova.tv/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)