Hoti: Të hyrat tatimore në mesatare rriten prej 7.8%
Ai bëri të ditur se Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, avancon prokurimin publik, duke e bërë procesin më efikas përmes freskimit të procedurave ekzistuese dhe inkuadrimit të mekanizmave dhe procedurave të reja.
Këto modifikime janë bazuar në nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të ligjit ekzistues, si dhe në legjislacionin përkatës të Bashkësisë Evropiane. Ndryshimet që do ti sjell ky Projektligj do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materiale që prokurohen, në shmangien e procedurave të komplikuara dhe në shtimin e vlerës së parasë.
Krahasuar me ligjin aktual, Projektligji rregullon më në detaje prokurimin në fushën e sigurimit dhe mbrojtjes, duke siguruar që vetëm për mallrat që janë specifike mund të evitohen procedurat e prokurimit standard, dhe kjo në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Dhe gjithashtu mundëson ndarjen e kontratave publike në llote homogjene dhe heterogjene, me qëllim të përfshirjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në tregun kombëtar të prokurimit publik, ka thënë ministri Hoti.
Ministri i Financave Avdullah Hoti gjithashtu bëri të ditur se në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Financave implementimi i këtij Projektligji nuk do të sjell kosto shtesë financiare për institucionet e zbatimit të ligjit. Përkundrazi, do të krijojë kursime.
Në këtë Konferencë Ministri Avdullah Hoti prezantoi para gazetarëve gjithashtu të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë për periudhën Janar Shtator 2015, ku bëri të ditur se ka pasur një performancë të jashtëzakonshme të të hyrave tatimore në mesatare kemi një rritje prej 7.8% të të hyrave, prej të cilave 11.1 % ka rritje të të hyrave në ATK dhe 7.3% ka rritje të të hyrave në Dogana."
"Në një situatë ku ekonomia e Kosovës po rritet me një normë mesatare rreth 3%, pra kemi trefish më shumë të hyra se sa rritja nominale vjetore e aktivitetit ekonomik në vend, që është shenjë e luftimit të informalitetit dhe rritje së ekonomisë formale.
Po vazhdojmë me disiplinimin e kursimeve, si rezultat kemi pas kursime prej 4.8% në shpenzimet për mallra dhe shërbime, në kategoritë e tjera shpenzimet po shkojnë sipas trendit dhe ne besojmë se do ta përmbyllim vitin ashtu siç e kemi planifikuar me rishikimin e Buxhetit në muajin korrik, ka shtuar ministri Hoti.