16 Nëntor 2024

Hoti: Të hyrat e buxhetit, ishin mbi 1,64 miliard euro

Prishtinë, 22 prill -  Shqyrtimi i Raportit financiar vjetor i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, në të cilën mori pjesë edhe Avdullah Hoti, ministër i Ministrisë së Financave.

Pasi përshëndeti ministrin Hoti, kryetari i Komisionit Osmani, theksoi se Raporti është dorëzuar në Kuvend në pajtim me ligjin. Në vazhdim, një pasqyrë të gjerë të parametrave të ecurive të buxhetit të vitit 2014 e dha ministri  Avdullah Hoti, i cili në fillim theksoi se të hyrat e buxhetit të Kosovës gjatë vitit 2014 ishin  diçka mbi 1,64 miliard euro, ndërsa shpenzimet ishin  1,46 miliard.

Duke përshkruar strukturën e të hyrave z. Hoti theksoi se vetëm nga të hyrat e doganës Kosova realizoi 871 milionë euro, ndërsa nga administrata tatimore u arkëtuan 272 milionë euro. Z. Hoti tha se ecuritë financiare në Kosovë gjatë vitit 2014 ishin brenda rregullave fiskale.

Në debatin e gjerë që pasoi u theksua se janë zvogëluar shpenzimet për mallra dhe shërbime, ndërkaq në shpenzime buxhetore ndikoi shtimi i rrogave prej 25 për qind,disa organizata nuk përfillën kodet buxhetore, përkatësisht ndryshuan destinimin, pastaj pati ngritje edhe në shpenzimet e nxehjes, të ujit dhe mbeturinave  krahasuar me vitin paraprak etj.

Duke përmbyllur debatin Naser Osmani tha se Raporti është i mirë, mirëpo në të do të bëhen edhe disa plotësime, siç ka premtuar ministri Hoti. Ministri Hoti gjithashtu është zotuar se do t’ia  bashkëngjesë Raportit edhe listën e shpenzimeve kapitale. Në përfundim  të debatit, anëtarët e Komisionit e përkrahën dhe e proceduan tutje në Kuvend Raportin financiar vjetor të  Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Në vijim Komisioni shqyrtoi Raportin financiar të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2014, të cilin  para Komisionit, në emër të këtij agjencioni e paraqiti Ruzhdi Jashari, i cili në fjalën e tij paraqiti edhe parametrat financiarë të këtij agjencioni.

Komisioni shqyrtoi pastaj Raportin financiar vjetor të Zyrës Rregullative për Energji për vitin 2014, të cilin para Komisionit e paraqiti Enver Halimi , kryetar i Bordit të Rregullatorit të Energjisë. Z. Halimi foli edhe për ecuritë financiare të këtij Agjensioni.

Ndërkaq, Raportin financiar të  Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2014, e paraqitën udhëheqja e këtij agjencioni: Bahrije Berisha dhe Ramadan Gashi. Ata theksuan se ky agjension ka hapur edhe 8 zyra në Kosovë, si dhe dy zyra rajonale. Pas debatit edhe këto tri raporte u përkrahën dhe u proceduan tutje në Kuvend.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)