Hoti takoi përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës
Prishtinë, 10 nëntor - Ministri Avdullah Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, të cilët i njoftoi për ndryshimet në politikat fiskale që ka ndërmarrë Ministria e Financave gjatë këtij viti, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimet e përfaqësuesve të biznesit, si në çështjet e lehtësirave fiskale e deri te ndryshimet e ligjeve të ndryshme.
Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti shprehi gatishmërinë e Qeverisë për fuqizimin edhe më tej të dialogut ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve për hartimin e politikave dhe ligjeve të cilat lehtësojnë mjedisin e bizneseve prodhuese në Kosovë.
Ministri Hoti bëri të ditur se politikat e reja fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës kanë për qëllim krijimin e një ambienti më të mirë për biznes sidomos në sektorin e prodhimtarisë, nxitjen e investimeve të reja dhe punësimit, promovimin e sektorit të teknologjisë informatike, dhe adresimin e çështjeve sociale.
Ai me këtë rast tha se Qeveria do të konsiderojë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para të cilat nuk prodhohen në Kosovë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës e njoftuan ministrin Avdullah Hoti për themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, i cili Klub është krijuar së fundmi nga një grup i prodhuesve të Kosovës.
Përfaqësuesit e Klubit të prodhuesve të Kosovës shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Financave, në ofrimin e sugjerimeve dhe kontributit të tyre për krijimin e kushteve më të favorshme për prodhuesit e vendit.