Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e MCC-së
Prishtinë, 2 qershor - Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e Agjencisë qeveritare amerikane - Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation - MCC), me të cilët diskutoi për procesin e zhvillimit të projektit Compact në Kosovë, dhe hartimin e analizës së kufizimeve kryesore ekonomike (Kosovo Constraints Analysis).
Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për të dhënat të cilat i nevojiten ekipit të MCC-së për Kosovë për zhvillimin e analizës së kufizimeve, mjedisin biznesor dhe identifikimin e barrierave kyçe të cilat pengojnë rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat.
Të dyja palët diskutuan edhe për nevojën e përgatitjes së analizave ekonomike, shkëmbimin e të dhënave statistikore, analizimin e strategjive ekzistuese për zhvillim ekonomik, për strategjinë zhvillimore si dhe për klauzolën e investimeve.