Hoti priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve të Kosovës
Prishtinë, 13 qershor - Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve të Kosovës, me të cilët diskutoi për themelimin e Agjencisë për Tatime dhe Doganë të Kosovës.
Gjatë takimit u tha se themelimi i kësaj Agjencie moderne, e cila do të ketë besueshmëri të lartë dhe të paanshme nga të gjitha palët e interesit, do të ndikojë edhe në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, si dhe do të sigurojë efikasitet dhe drejtësi për qytetarë dhe bizneset gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre tatimore ndaj shtetit të Kosovës.
Ministri Avdullah Hoti me përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve diskutoi edhe për hapat e bashkimit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës në një Agjenci të vetme, si dhe respektimin e të drejtave të zyrtarëve dhe punëtorëve të këtyre Agjencive, gjatë dhe pas procesit të bashkimit.
Ai gjithashtu falënderoi përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve të Kosovës për kontributin që po japin në këtë proces të bashkimit të ATK-së dhe Doganës në një Agjenci të vetme dhe u shpreh se kjo Agjenci do të ketë efektetet e saja pozitive edhe në fushën e shpeditimit, si dhe do të ndikoj edhe në luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë.
Ndërsa, përfaqësuesit e Shoqatës së Shpediterëve të Kosovës duke falënderuar ministrin Hoti për pritjen u shprehën se Ligji është i hartuar mirë dhe në mënyrë shumë profesionale. Me këtë rast, ata gjithashtu ata i dorëzuan edhe sugjerimet e tyre për ti inkorporuar në Ligj.