Hoti prezanton Pakon fiskale para Komisionit për Zhvillim Ekonomik
Prishtinë, 28 shkurt - Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në takimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka prezantuar para anëtarëve të këtij Komisioni Pakon e re fiskale 2.0.
Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Ministria e Financave është njëra nga institucionet kyçe në krijimin dhe promovimin e politikave më të favorshme fiskale, në bashkëpunim me komunitetin e bizneseve dhe me institucionet tjera, që nga fundi i vitit të kaluar ka punuar në hartimin e politikave të reja fiskale, si vazhdimësi e reformave fiskale të ndërmarra në vitin e kaluar.
Si rezultat, është punuar drejt konceptimit të përmbajtjes së pakos së re fiskale, bazuar në kërkesat dhe nevojat e parashtruara nga komuniteti i biznesit. Fillimisht është përpiluar një listë prej 7 masash, e cila është aprovuar në parim nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, për ti hapur më tej rrugën fazës së diskutimeve publike me komunitetin e bizneseve.\"
\"Ministria e Financave, së bashku me institucionet tjera relevante ka zhvilluar diskutime të shumta me të gjitha asociacionet e bizneseve, ku janë zhvilluar diskutime shumë konstruktive dhe janë marrë propozime të tjera, qoftë për plotësim të masave aktuale apo edhe për shtim të masave të reja shtoi Ministri Hoti.
Ministria e Financave ka analizuar të gjitha këto propozime, me ç rast edhe janë zhvilluar analizat përkatëse për ndikimin që do të ketë implementimi i këtyre masave në të hyrat buxhetore si dhe në përgjithësi në ekonominë e vendit , shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Muhamet Mustafa dhe anëtarët tjerë të këtij Komisioni e vlerësuan lart iniciativën e Ministrisë së Financave për pakon e re fiskale, ku sipas tyre ashtu sikurse edhe pakoja e parë fiskale, pritet që kjo pako të ketë ndikim pozitiv në klimën e të bërit biznes, në investimet direkte, në punësim, si dhe në zhvillimin ekonomik.
Ata gjithashtu dhanë rekomandimet e tyre për përfshirjen në këtë pako të re fiskale, dhe theksuan se sa më shpejt që këto masa të jetësohen Kosova do të jetë më konkurente në rajon dhe më gjerë.