14 Nëntor 2024

Hoti: Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal

Beçiq, 10 qershor - Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka deklaruar se falë përcaktimit për menaxhim të matur të financave publike, Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal dhe kohëve të fundit ia ka dalë të forcojë tutje pozitën e saj fiskale, me rezerva të rritura fiskale, duke frenuar shpenzimet rrjedhëse dhe reduktuar deficitin fiskal të vendit

“Ndonëse Kosova nuk ka pasur ndonjë krizë fiskale, vendimet e mëhershme për rritje të shpenzimeve rrjedhëse, kanë paraqitur sfida të vërteta për të siguruar se buxheti i vendit është i qëndrueshëm dhe mbështetës i rritjes ekonomike” bëri të ditur ministri Avdullah Hoti në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve dhe Drejtorëve të Administratës Tatimore, me temën “Stabiliteti financiar rajonal në rrethanat e ndryshuara globale”, i cili po mbahet në Beçiq nën patronatin e Ministrisë së Financave të Malit të Zi.

Në cilësinë e njërit prej panelistëve kryesorë në panelin e ministrave me temën “Stabilizimi i financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike”, ministri i Financave Avdullah Hoti, duke falënderuar organizatorët e këtij forumi dhe të gjithë pjesëmarrësit nga të gjitha vendet e rajonit tha se “Ky Samit Rajonal tanimë veç është bërë një ngjarje e rëndësishme ku politik-bërësit e nivelit të lartë për fushën e financave publike dhe tregjet financiare, takohen për të diskutuar dhe ndarë pikëpamjet për çështje të rëndësishme që lidhen me reformat për të ardhmen.

Duke folur për Stabilizimin e financave publike pa sakrifikuar rritjen ekonomike, Ministri Hoti theksoi se “Falë përcaktimit tonë për menaxhim të matur të financave publike, Kosova ka ruajtur stabilitetin fiskal dhe kohëve të fundit ia ka dalë të forcojë tutje pozitën e saj fiskale, me rezerva të rritura fiskale; duke frenuar shpenzimet rrjedhëse dhe reduktuar deficitin fiskal të vendit. 

\"Këto të arritura fiskale janë rezultat i drejtpërdrejtë i politikave tona reformuese tatimore dhe të shpenzimeve, të cilat mbështeten edhe përmes programit Stan By që ne kemi me FMN. “Së bashku me performancën fiskale të përmirësuar, trendi i rritjes ka qenë relativisht i mirë, me rritje të BPV-së vitin e kaluar që vlerësohet të ketë qenë rreth 4%. Megjithatë, ne ende përballemi me çështjen e normës së lartë të papunësisë, prandaj kërkohet rritje shumë më e lartë për të adresuar këtë sfidë .

Në lidhje me këtë, kemi bërë një reformë substanciale në politikat tatimore, duke siguruar se sistemi ynë tatimor është mbështetës i rritjes së aktivitetit ekonomik në sektorin privat”, tha ministri Avdullah Hoti. Ai bëri të ditur se ndryshimet e bëra, që kryesisht lidhen me stimulimin e prodhimit dhe përpunimit në vend, tani më veç kanë filluar të japin rezultatet e para dhe pritet që në vitet në vijim, efekti i këtyre ndryshimeve të jetë i plotë.

“Në të njëjtën kohë, ne kemi reformuar mënyrën se si administrohet me mbledhjen e tatimeve, duke automatizuar shumë shërbime për tatimpaguesit, dhe duke mundësuar deklarimin online për të gjitha llojet e tatimeve. Ne jemi në proces të implementimit të qasjes së bazuar në rrezik, dhe gradualisht po mundohemi ti ikim kontakteve direkte me tatimpaguesit.  Për më shumë, jemi në proces të bashkimit të dy Agjencive tatim-mbledhëse në një Institucion të vetëm, dhe presim që një gjë e tillë të përmirësoj edhe më tej Administrimin e sistemit tatimor”, ka shtuar ministri Hoti.

Ai gjithashtu tha se këto veprime të ndërmarra kanë rritur besimin e tatimpaguesve në administratën tatimore, dhe kjo më pas ka ndikuar edhe në rritjen e deklarimeve, respektivisht në zvogëlimin e aktivitetit të informalitetit. Në fakt, si rrjedhojë e këtyre reformave, vitin e kaluar të hyrat tatimore kanë pasur një rritje shumë të madhe, prej rreth 10%”. Sa i përket shpenzimeve, ministri i Financave Avdullah Hoti para pjesëmarrësve tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndryshuar rregullën fiskale për të ofruar më shumë fleksibilitet për financim shtesë për investimet publike, në projekte produktive. “Niveli aktual i borxhit tonë publik vazhdon të jetë i ulët, rrjedhimisht Kosova mund të përballojë huamarrje shtesë, me kusht që këto hua të përdoren për zgjerimin e investimeve tona produktive, të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike  dhe krijojnë parakushte për rritje të qëndrueshëm, gjithmonë e udhëhequr nga sektori privat”, ka shtuar Ministri Hoti.

Ai gjithashtu tha se “Si pjesë e përpjekjeve tona për të përmirësuar strukturën e buxhetit, në favor të rritjes ekonomike, kemi disenjuar një rregull ligjore për rritjen e pagave në të ardhmen.  Sipas kësaj rregulle, çfarëdo rritje e ardhshme në buxhetin e pagave, duhet të bazohet në nivelin e rritjes së produktivitetit në ekonomi, e matur me rritjen ekonomike të vendit. Një gjë e tillë patjetër se do të mënjanoj vendimet e motivuara politikisht, që më pas do të ndikonin negativisht në konkurueshmërinë e vendit”. “Pos reformave fiskale, ne kemi ndërmarr një sërë reformash të tjera, duke përfshirë edhe ato strukturale, të tilla si reformimi i prokurimit publik, për të siguruar transparencë më të madhe në mënyrën e shpenzimit të parasë publike”, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ai bëri të ditur se reformat tona duhet të përfshijnë një mix të veprimeve që adresojnë fusha të ndryshme,  Së pari, për politikën tatimore, duhet të sigurohemi që sistemi ynë tatimor mbetet i thjeshtë, me bazë të gjerë tatimore, me përjashtime të kufizuara dhe norma uniforme , e cila  do të siguronte një sistem tatimor fare pak të çrregulluar për aktivitete ekonomik të sektorit privat, së dyti, duhet të vazhdojmë me reformat që lidhen me administrimin e sistemit tatimor. Së treti, cilësia e shpenzimeve është qenësore – ne duhet të sigurohemi se shpenzimi i çdo Euroje është i bazuar në parimin e kthimit të investimit, si dhe së katërti, një element shumë i rëndësishëm është transparenca dhe llogaridhënia jonë për atë se si shpenzohen paratë publike dhe mekanizmat kontrolluese në ekzekutimin e buxheteve tona.

“Nuk mjafton të kemi politika të mira tatimor, nëse Administrimi nuk është adekuat. Rrjedhimisht ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit, largimin e barrierave të panevojshme sa i përket procedurave dhe kostos për bizneset dhe qytetarët, dhe reduktimin për aq sa është e mundur të kontakteve të drejtpërdrejta me tatimpaguesit për të shmangur mundësitë për korrupsion. Deri sa të arrijmë një pikë ku bizneset janë të lumtura nëse e shohin një Inspektor Tatimor që viziton lokalet e tyre e ne nuk e kemi bërë punën tonë si duhet”, ka shtuar Hoti. Ai në fund të sesionit tha se është e mundur që të mbahen financa publike stabile, pa krijuar vështirësi për rritjen e ekonomisë, duke shtuar se rritja  më e madhe dhe stabile, kushtëzohet nga stabiliteti i financave publike, dhe ky ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë fokusi ynë kryesor në vitet e ardhshme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)