Hoti: Hiqet monopoli në furnizimin me arka fiskale
Prishtinë, 20 mars - Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka deklaruar se Udhëzimi i ri Administrativ për Arkat Fiskale, do të përmbyll përfundimisht pajisjen e bizneseve me arka fiskale dhe nuk do të ketë alternativë ndaj pajisjes me arkat fiskale.
Pas një pune gati 2 mujore të një ekipi të përbërë nga Zyra ligjore e Ministrisë së Financave, Administratës Tatimore të Kosovës dhe ekspertët tjerë të pavarur, kemi aprovuar Udhëzimin e ri Administrativ për Arkat Fiskale, i cili në mënyrë fondamentale e ndërron furnizimin me këto pajisje duke mundësuar një proces shumë më të lehtë dhe automatik të transferit të të dhënave, duke aplikuar plotësisht nënshkrimin digjital dhe gjithashtu duke hequr përfundimisht monopolin që ka ekzistuar deri më tani në furnizimin me arka fiskale, ku vetëm një kompani ka mbuluar 70% të tregut dhe ka ofruar 9 lloje të ndryshme të arkave fiskale, ka thënë Ministri i Financave Avdullah Hoti sot në Konferencë për Media.
Ministri Hoti bëri të ditur se me udhëzim të ri specifikohet që të hiqet diskercioni i Ministrit sa i përket lejeve, licencave për furnizim me arka fiskale. Do të themelohet një njësi e veçantë për menaxhimin e arkave fiskale brenda ATK-së, për të hequr këtë punë nga niveli politik dhe për ta lënë në dorë të stafit civil dhe të ekspertëve që merren me këtë çështje.
Ministri i Financave theksoi se me këtë udhëzim do të rritet garancioni për kontroll teknik të pajisjeve fiskale nga 12 muaj në 24 muaj dhe gjithashtu me këto ndryshime çmimi për një pajisje fiskale do të jetë dukshëm më i ulët.
Ai bëri të ditur se nuk do të ketë më afat kohorë për licencim Kushdo që aplikon për të marrë leje për të furnizuar bizneset me arkat fiskale, brenda 15 ditëve do të shqyrtohet lënda e tyre dhe do të pajisjen me leje të nevojshme. Kështu që do të kalohet nga licensimi i kompanive për pajisjen me arka fiskale kah certifikimi i pajisjeve të arkave fiskale nga ana e këtyre bizneseve.
Ky udhëzim do të përmbyll përfundimisht pajisjen e bizneseve me arka fiskale dhe nuk do të ketë alternativë ndaj pajisjes me arkat fiskale. Pas këtij udhëzimi do të ketë vendime të tjera për të përcaktuar afatin kohor kur bizneset përfundimisht duhet të pajisjen me arkat fiskale, tha Hoti.
Ai ju bëri thirrje të gjitha bizneset që të pajisen sa më shpejtë me arka fiskale, me qenë se ky udhëzim tash ju mundëson bizneseve që të pajisen me arka fiskale në mënyrë me efiqente shumë më lirë dhe më shpejtë.
Ministri Avdullah Hotin në këtë konferencë bëri të ditur se Në këtë udhëzim administrativ përfshihen edhe disa stimuj për qytetarët në mënyrë që ata të nxiten të blejnë nga kompanitë që janë të pajisura me arka fiskale. Kështu çdo 3 muaj qytetarët do të mund të dorëzojnë kuponë fiskal për blerjet që kanë bërë për të marrë prapa një pjesë të TVSH-së që kanë paguar me rastin e blerjes .
Për blerjet prej 250 deri në 500 euro të kthehen nga 10 euro prej TVSH-së që kanë paguar. Për blerjet prej 501 deri në 800 euro të kthehen nga 15 euro, dhe për blerjet mbi 800 euro të kthehen nga 20 euro.
Sipas ministrit Hoti Administrata Tatimore e Kosovës do të formojë një Njësi dhe në baza 3 mujore pas përfundimit të çdo tremujori do të pranojnë pliko të mbyllura me kuponë fiskal nga blerjet që kanë bërë qytetarët së bashku me të dhënat personale dhe xhirollogarinë ku do të paguhet kjo shumë për këta kuponë fiskal.
Me këtë udhëzim trajtohen edhe disa prej profesioneve që janë në zhdukje e sipër që ti ruajmë ato siç janë zanatet e ndryshme, farkëtarët, qeleshepunuesit, ku do të subvencionohen nga Administrata Tatimore e Kosovës për pajisjet fiskale që duhet të kenë ata.
Ministri Hoti bëri të ditur se Me ketë udhëzim janë përjashtuar shërbimet publike nga pajisja me arkë fiskale në mënyrë që mundësojmë që ne të mbledhim TVSH-në nga ato me rastin e pagesës së shërbimit publik, të themi energji, ose ngrohje ose uji e jo ti ngarkojmë ata me rastin e lëshimit të faturës përpara se të bëhet pagesa. Dhe gjithashtu e kemi përjashtuar pajisja me arka fiskale të gjitha institucionet publike dhe private që merren me aktivitete kulturore, artistike dhe sportive.
Përveç prezantimit të udhëzimit të ri për arkat fiskale Ministri i Financave Avdullah Hoti në këtë Konferencë për Media bëri të ditur se ka themeluar një grup këshill-dhënës për tatime dhe dogana për shkak se ligji i Administratës Tatimore të Kosovës prej 1 janarit e ka shpërbë Bordin e Pavarur për Shqyrtimin e Tatimit. Ky grup do të shqyrtojë të gjitha ankesat që vijnë në Kabinetin tim dhe do të më këshillojë drejtpërdrejtë mua për veprimin që duhet të ndërmarr lidhur me këto ankesa. Normalisht kjo nuk e konsumon të drejtën e biznesit për të shqyrtuar rrugët ligjore për ankesat që ata mund ti kenë.
Ministri Hoti gjithashtu bëri të ditur vendimin e tij për pezullimin e përkohshëm të zbatimi të udhëzimit administrativ mbi licencimin dhe kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së përfaqësuesve në procedurat doganore deri në një udhëzim tjetër të trupave qeveritar lidhur me përputhshmërinë e këtij udhëzimi me ligjet në fuqi.
Opinionin ligjor që kam marrë unë nga Departamenti Ligjor i MF-së është konstatuar që ky udhëzim administrativ bie ndesh me disa prej neneve në Ligjin për Sistemin e lejeve dhe licencave dhe me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. Unë e kam pezulluar përkohësisht deri sa ta qartësojmë nga trupat tjerë qeveritar se a qëndrojnë këto vlerësime lidhur me këtë udhëzim administrativ tha Hoti.