Hoti falënderon KFOR-in për mbështetjen që po i jep doganave
Prishtinë, 15 dhjetor - Ministri i Financave Avdullah Hoti, priti sot në takim njoftues Komandantin e KFOR-it Guglielmo Luigi Miglietta.
Ministri Hoti gjatë takimit e falënderoi Komandantin e KFOR-it Miglietta për punën dhe kontributin që ka dhënë dhe po jep KFOR-i si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës.
Gjatë takimit Ministri Hoti e njoftoi Komandantin e KFOR-it Miglietta për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e Qeverisë për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në dhe për mbështetjen buxhetore të saj.
Ai gjithashtu u shpreh se ekziston një frymë e mirë sa i përket bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me KFOR-in në luftimin e ekonomisë joformale si dhe falënderoi KFOR-in për mbështetjen që po i jep doganave për të operuar sa më mirë në pikat doganore në veri.
Ndërsa, Komandanti i KFOR-it Guglielmo Luigi Miglietta falënderoi Ministrin Hoti për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.