Hoti: Duhet të ndryshojë modeli i zhvillimit ekonomik
Prishtinë, 6 maj - Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe drejtuesi i Grupit të Ekspertëve për Ekonomi në këtë parti, Avdullah Hoti, ka thënë se Ekonomia e Kosovës gjatë këtyre viteve të qeverisjes së PDK-së ka shënuar ngecje, sidomos në tre vjetët e fundit.
Ai ka thënë se LDK-ja planifikon ti krijojë120 mijë vende pune në mandatin e parë vetëm në zinxhirin prodhim-përpunim-shitje të produkteve bujqësore. Sipas tij, kjo do të arrihet me trefishim të buxhetit për bujqësi dhe për mbështetje të sektorit privat.
Hoti në këtë intervistë për Epokën e re ka bërë me dije se LDK-a, ka përgatitur programin qeverisës me ndihmën e një grupi të madh ekspertësh prej 70 vetash, kryesisht profesorë universitarë, analistë, por edhe njerëz nga biznesi, shoqëria civile, institutet shkencore në vend dhe jashtë.
Të gjithë ekspertët tanë janë pajtuar se modeli i zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të ndryshojë, është shprehur Hoti, përderisa ka vlerësuar se problemi kryesor në të gjitha nivelet e arsimit është cilësia.
Zvogëlimi i pagesës për semestër nuk e adreson problemin e cilësisë në arsim. Mendoj se fokusi duhet të jetë në rritjen e cilësisë së arsimit, ka thënë ai. (Albulena S. MAVRAJ)