Hoti autorizohet të nënshkruaj projektin për Sigurinë e Ujit
Prishtinë, 6 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 126-të me radhë ka miratuar vendimin për t\'i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për financim për Projektin për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Fondet që do të huazohen nga kjo marrëveshje, do të përdoren për financimin e projektit, pra për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, përkatësisht revitalizimin e kanalit Ibër-Lepenc dhe ndërtimin e një rezervuari të ujit, i cili do të shërbej për raste emergjence.
Gjatë kësaj mbledhje, janë miratuar edhe dy nismat për lidhjen e \"Marrëveshjes mbi punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës\", e para ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, si dhe e dyta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Panamasë.
Këto dy marrëveshje, përveç rëndësisë konkrete dhe përmbajtjes konkrete, ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në mes të Kosovës në njërën anë dhe Italisë dhe Panamasë në anën tjetër.