Hotel Onix-Banja e Pejës dhe Ilixhe nën administrimin e AKP
Prishtinë, 21 korrik - Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit përfundoi mbledhjen e rregullt të radhës, në të cilën u diskutua për një numër të çështjeve që ndërlidhen me mbarëvajtjen e procesit të punës së kësaj agjencie.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi i Drejtorëve aprovoi Valën e 52 të privatizimit e cila do të tenderohet në muajin nëntor dhe përmban një numër ndërmarrjesh atraktive me gjithpërfshirje territoriale.
Gjithashtu, Bordi aprovoi transaksionet e shitjeve të Valës 50 të privatizimit.
Në kuadër të kësaj, me qëllim të ruajtjes si dhe ngritjes së vlerës, u vendos që ndërmarrja e re Hotel Onix-Banja e Pejës dhe Ilixhe të jetë nën administrimin direkt të AKP-së, dhe të angazhohet një ekip që të ndihmojnë në përgatitjen sa me atraktive të mundshme për shitje.
Në vazhdën e diskutimeve për privatizimet e ndërmarrjeve me metodën spin-off special, pas përcaktimit të përmbushjes së kënaqshme të zotimeve si për investime ashtu edhe për punësim, Bordi i Drejtorëve liroi nga monitorimi i mëtutjeshëm ndërmarrjet Sillosi, Mulliri-Fushë Kosovë dhe Modeli.
Një hap i rëndësishëm, shënon edhe miratimi i shpërndarjes përfundimtare të fondeve të tetëdhjetë përqindëshit apo likuidimit tek kreditorët dhe pronarët për Ndërmarrjen Shoqërore KB Vushtrria rajoni i Mitrovicës.
Bordi poashtu aprovoi për dorëzim edhe Raportin Tremujor për Kuvendin e Kosovës për periudhën prill qershor 2011, siç edhe kërkohet në bazë të nenit 20.1 të Ligjit nr. 03/L067 mbi themelimin e AKP-së.
Mbledhja e rradhës do të mbahet në muajin shtator.
AKP është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur publik, duke pas parasysh se rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe mirëqenia e qytetarëve të saj është më rëndësi jetike dhe kërkon administrimin dhe privatizimin ose likuidimin me kohë të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore.