Holanda ndihmon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kosovare
Prishtinë, 15 dhjetor - Oda Ekonomike e Kosovës dhe fondacioni Holandez PUM, të mërkurën nënshkruan memorandumin njëvjeçar për bashkëpunimin në inkurajimin e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Në bazë të këtij memorandum, të nënshkruar nga Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu dhe Johan van den Berg nga PUM-i, PUM do të ofrojë asistencë dhe ekspertizë teknike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme Kosovare përmes angazhimit të ekspertëve dhe afaristëve holandez.
Memorandumi ka për qëllim përmirësimin e performancës ekonomike të ndërmarrjeve kosovare.
Palët nënshkruese u dakorduan që kjo asistencë holandeze tu ofrohet në radhë të parë ndërmarrjeve që ballafaqohen me sfida në stabilizimin afatgjatë të afarizmit të tyre.
PUM është agjenci e njohur holandeze e cila siguron asistencë dhe ekspertize profesionale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendet e tranzicionit.
Aktualisht kjo organizatë, e cila financohet nga Qeveria e Holandës dhe organizata për punësim VNO-NCW përbën agjencinë më të madhe evropiane që ofron asistencë dhe analizë profesionale bizneseve në afro 70 vende anekënd botës.