Hetohen 159 zyrtarë të dyshuar për raste korruptive
Prishtinë, 11 mars - Drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë prezantuar raportin më të ri apo raportin e tretë vjetor që Agjencia i paraqet Kuvendit të Kosovës, i cili në mënyrë të detajuar i pasqyron aktivitetet dhe iniciativat e ndërmarra gjatë vitit 2009, sipas të cilit ka rritje të informatave për raste korruptive dhe se është rritur numri i zyrtarëve qeveritarë të përfshirë në raste korruptive.
Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, në një konferencë për media, ka thënë se fusha e prokurimit në Kosovë vetëm ka shënuar regres, por për rastet e dyshuara korruptive nuk ka dhënë shifra sa është dëmtuar buxheti i Kosovës.
Sipas tij, AKK për periudhën raportuese në krahasim me vitin paraprak ka pranuar numër dukshëm më të madh të rasteve të dyshuara për veprime korruptive. Derisa në vitin 2008 janë pranuar 130 informacione, Preteni ka bërë të ditur se në vitin 2009 janë pranuar gjithsej 175 informata ose 34.61 për qind më shumë se sa vitin paraprak.
Preteni ka thënë se nëse llogariten edhe 22 informata që kanë qenë publike në raportin për vitin 2008, e që kanë mbetur për tÆu trajtuar në agjenci del që Departamenti i hetimeve i ka trajtuar 197 informata. Nga kjo del që pas hetimeve paraprake dhe pas hetimeve administrative në prokuroritë kompetente janë përcjellë 68 informata, 103 janë mbyllur dhe janë në mungesë provash, ndërsa 26 kanë mbetur të trajtohen nga agjencia.
Sipas drejtuesve të AKK së gjatë vitit të kaluar është rritur numri i personave zyrtar të dyshuar për raste korruptive.
Prokurorisë së EULEX it iu janë përcjell 34 informata, kurse për shkak të natyrës specifike të rastit në 26 raste informacionet iu janë përcjell Policisë së Kosovës.
Sipas Pretenit, nga kjo rezulton se në bazë të informatave kthyese nga prokurorit që ka AKK ja, nga 168 të përcjella kanë ndodhur 5 arrestime. Në 60 raste kanë filluar hetimet penale nga prokuroritë kompetente, 5 aktakuza janë ngritur nga prokuroritë, ndërsa 36 lëndë janë të hedhura dhe në 62 raste nuk ka informacion kthyes nga prokuroritë.
Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë një fenomen i cili po ndikon në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. AKK si institucion i specializuar për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit edhe gjatë vitit
2009 ka intensifikuar përpjekjet me qëllim të ballafaqimit me këtë dukuri negative duke iu bërë pengesë e madhe rritjes së tij përmes shumë aktiviteteve. Kjo ka ndikuar në nxitjen e bashkëpunimit në mes të qytetarëve dhe AKK‐së, rritjen e besimit të qytetarëve në punën e AKK-së si dhe përmirësimin e përgjithshëm të imazhit të institucioneve të vendit.
Departamenti i Hetimeve i AKK-së, ka pranuar raste të raportuara nga qytetaret të cilët kanë pretenduar se kanë qenë viktima të veprimeve korruptive të zyrtarëve publike, si dhe ka ndërmarr veprime hetimore sipas detyrës zyrtare. Gjatë periudhës raportuese Janar Dhjetor 2009 janë evidentuar 175 raste të dyshuara për veprime korruptive në institucionet publike të Kosovës.
Në mesin e personave të dyshuar janë të evidentuar persona zyrtar si dhe persona zyrtarë të lartë të institucioneve publike të kategorizuar me Ligjin Kundër Korrupsionit Nr 2004-34, ku struktura e tyre është si në vijim:
Nga rastet e raportuara si dhe ato të hetuara sipas detyrës zyrtare ku të dyshuar kanë qenë gjyqtar dhe staf tjetër i Gjykatave të Republikës së Kosovës (Gjykatat e Rregullta dhe të kundërvajtjes) janë evidentuar 53 raste.
Nga rastet e raportuara si dhe ato të hetuara për veprime korruptive të zyrtarëve në kategorinë e Institucioneve Tjera, (Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, Korporata Elektroenergjetike e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ish‐ Ndërmarrjet Shoqërore Doganat e Kosovës, ish Trupat Mbrojtëse të Kosovës etj), si të dyshuar për veprime korruptive janë të evidentuar 43 raste.
Nga rastet e raportuara si dhe ato të hetuara për veprime korruptive të zyrtarëve në kategorinë e zyrtarëve publik të Qeverisë së Republikës së Kosovës (ministritë si dhe agjencitë që veprojnë në kuadër të ministrive të caktuara) për periudhën raportuese, janë evidentuar 34 raste.
Pushteti Lokal (Komunat e Republikës së Kosovës), përkatësisht personat zyrtar të nivelit lokal si të dyshuar për veprime korruptive, për periudhën raportuese janë evidentuar 31 raste.
Prokuroritë e Republikës së Kosovës funksionojnë në tri nivele: Prokuroria Publike Komunale (7 prokurori), Prokuroria Publike e Qarkut (5 prokurori), Prokuroria Publike e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Sa i përket rasteve të raportuara apo të hetuara sipas detyrës zyrtare, është specifike se krahasuar me vitin e kaluar, gati është trefishuar numri i rasteve të raportuara për këtë kategori.