Heldt ofroi ndihmën e Gjermanisë në fushën e bashkëpunimit financiar
Prishtinë, 6 shkurt - Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Christian Held.
Ministri Bislimi e falënderoi Ambasadorin Heldt për vizitën dhe e informoi atë rreth prioriteve që Qeveria, respektivisht Ministria e Financave do t’i ketë gjatë mandatit 4 vjeçarë duke i siguruar vazhdimësinë e bashkëpunimit financiar me Qeverinë Gjermane si dhe duke shikuar drejt fushave të reja të bashkëpunimit.
Ndër të tjera, Ministri Bislimi e ka siguruar palën gjermane që do të mbulojë shpenzimet e dalura nga qëndrimi i refugjatëve shqiptarë në Parkun e biznesit në Prizren që nga tërmeti në Shqipëri.
Ai gjithashtu e njoftoi Ambasadorin Held për procesin e hartimit të buxhetit të Kosovës si dhe harmonizimin e tij në përputhje me prioritetet të cilat dalin nga programi i Qeverisë Kurti.
Ndërsa, ambasadori gjerman Christian Heldt e uroi ministrin Besnik Bislimi për pozitën e ministrit dhe i ofroi ndihmën e tij dhe të Qeverisë Gjermane në fushën e bashkëpunimit financiar ndërmjet Qeverisë Gjermane me Qeverinë e Kosovës.
Ambasadori Heldt po ashtu e informoi ministrin Bislimi rreth projekteve që janë të përkrahura nga banka gjermane KfW dhe GIZ, ku ndër to është edhe Parku i biznesit në Prizren.