Havolli: Viti i TRUST-it
Ai në një intervistë për gazetën Epoka e re, ka deklaruar se TRUST ka pasur sukses në të gjitha fushat e operimit, e me rekord të kontributeve të arkëtuara, me rekord të numrit të kontribuuesve të rinj dhe, më e rëndësishmja, ka të ngjarë edhe me rekord të kthimit nga investimet.
Epoka e re: Çfarë arritjesh ka pasur TRUST-ti në vitin 2013?
Havolli: Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST) gjatë këtij viti ka pasur një perfomancë shumë të mirë, kemi pasur kthim të investime. Pra, në vitin 2013 janë arritur pritjet si në fushën e investimeve, po ashtu edhe në fushën e kontributeve të reja që mblidhen nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Marrë në përgjithësi, e bazuar në të dhënat paraprake, të gjithë treguesit financiarë të FKPK-së na bëjnë me dije se po e mbyllim edhe një vit tjetër të suksesshëm në të gjitha fushat e operimit e me rekord të kontributeve të arkëtuara, me rekord të numrit të kontribuuesve të rinj dhe, më e rëndësishmja, ka të ngjarë edhe me rekord të kthimit nga investimet.
FKPK-ja pas 12 vjetësh nga themelimi, pas kalimit nëpër shumë sfida investuese dhe organizative, në fund të këtij viti mund të quhet një institucion stabil dhe me kredibilitet të plotë ndaj kontribuuesve të saj.
Epoka e re: Sa mjete i ka menaxhuar gjatë viti 2013?
Havolli: FKPK-ja deri në fund të nëntorit 2013 arriti ti ketë mbi 897 milionë euro nën menaxhim. Në fillim të vitit 2013 i kishte nën menaxhim rreth 740 milionë euro, që do të thotë se për 11 muajt e vitit 2013 rritja e mjeteve nën menaxhim ka qenë rreth 157 milionë euro.
Kjo rritje e mjeteve nën menaxhim është rezultat i investimeve, nga të cilat vlera e mjeteve u rrit bruto për 63 milionë euro, kurse kontribute pensionale të paguara gjatë vitit 2013 ishin gati 110 milionë euro. Për këtë periudhë FKPK ka pasur rreth 15.6 milionë euro dalje të mjeteve, prej të cilave 9.85 milionë euro tërheqje të kursimeve pensionale.
Epoka e re: Sa ka qenë çmimi i njësisë këtë vit?
Havolli: Kuptohet se ky ndryshim është reflektuar edhe në çmimin e njësisë, i cili deri në fund të muajit nëntor 2013 arriti në 1.2016 euro, i rritur nga 1.1170 euro që ishte në fillim të vitit 2013. Kjo dmth. se deri në këtë periudhë performanca neto nga investimet është rreth 7.57 %.
Rezultati tejet i kënaqshëm i kthimit nga investimet u dominua nga performanca e investimeve që FKPK-ja i ndërmori në tregjet financiare globale, ku veçanërisht tregu i aksioneve ishte më dobiprurësi.
Për sa iu përket investimeve në Kosovë, ato më 2013 u dominuan nga investimet në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, e në fund të muajit nëntor 2013 ishin rreth 53 milionë euro të investuara në këtë instrument.
Bordi drejtues ka dëshmuar kështu gatishmërinë e plotë për ti shtuar investimet brenda vendit dhe për ta ndihmuar kështu ekonominë drejt zhvillimit. Duhet të theksoj se qëllimi kryesor i investimeve është së pari të ruhet vlera reale e kontributeve nëpërmjet investimeve të matura.
Qëllimi tjetër është që, duke u mbështetur në këtë qasje të matur, të maksimizohet kthimi nga këto investime. Është një strategji e Fondit të Kursimeve Pensionale që i ka dhënë stabilitet Fondit në operimin e tij në tregjet financiare.
Kështu që, jo vetëm e kemi tejkaluar inflacionin, i cili për vitin 2013 deri në fund të muajit nëntor ishte 0.8 %, por kemi kthim neto në llogaritë e kontribuuesve të FKPK-së me mbi 7 % mbi nivelin e inflacionit.
Epoka e re: Me çfarë strategji po punon TRUST-i?
Havolli: Bordi drejtues edhe gjatë vitit 2013 e vazhdoi strategjinë investuese 60/40. Deri 60 % e mjeteve u investuan në fletobligacione, instrumente me kthim absolut dhe me target inflacionin, në tregun e kredisë si dhe në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pjesa tjetër, deri 40 %, u investuan në tregun e aksioneve. Bordi drejtues së paku çdo tre muaj e ka shqyrtuar performancën e menaxhuesve të mjeteve dhe i ka analizuar pritjet e lëvizjes së tregjeve financiare.
Bazuar në këto dy informacione, Bordi ka rritur, zvogëluar por edhe tërhequr investimet në fondet investuese. Mund të them se ky ka qenë vit mjaft aktiv për bordin drejtues në numrin e vendimeve që kanë çuar në lëvizje të mjeteve investuese nga dhe drejt fondeve investuese.
Po sa i përket strategjisë së investimeve të FKPK-së, Bordi drejtues në fund të këtij viti e ka miratuar manualin e ri të investimeve, ku përfshihen: Deklarata e Parimeve të Investimeve, Udhëzuesi i Politikave të Investimeve dhe Dokumenti i Implementimit të Investimeve.
Ky manual, i bërë publik në uebfaqen e FKPK-së, tashmë po shoqërohet edhe me ndryshimin e strategjisë së investimeve, duke kaluar kështu nga shkalla e diversifikimit të riskut investues, në shkallën e menaxhimit të riskut investues.
Ky kalim në strategjinë e menaxhimit të riskut investues do të krijojë mbrojtje shtesë për amortizimin e rënies së vlerës së mjeteve të financuara nga rëniet eventuale në tregjet financiare.
Kjo nevojë është bërë e domosdoshme po ta kemi parasysh edhe faktin se FKPK-ja tashmë menaxhon rreth 900 milionë euro. Kalimi në strategjinë e re të investimeve bart me vete edhe disa parakushte të nevojshme: angazhimin e menaxherëve të rinj të mjeteve dhe shtimin e buxhetit për investimin e mjeteve.
Epoka e re: Keni plan ta shtoni numrin e menaxherëve në TRUST?
Havolli: Sa i përket shtimit të numrit të menaxhuesve të mjeteve, FKPK-ja është në proces të shprehjes së interesit nga fondet e hapura investuese, proces i cili pritet të zgjasë deri më 14 shkurt 2014.
Dmth. jemi drejt plotësimit të këtij parakushti. Ndërsa sa i përket nevojës për financim shtesë të shpenzimeve investuese, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar kërkesën e FKPK-së për rritje të buxhetit për investimin e mjeteve, me çfarë edhe është plotësuar kjo nevojë.
Bordi drejtues e ka vënë në peshore rritjen e kostos së investimeve kundrejt rritjes së sigurisë e uljes së riskut për kursimet pensionale të kontribuuesve të FKPK-së.
Bordi unanimisht ka qenë i mendimit kah rrugëzgjidhja që çon në shtim të sigurisë për mjetet e kontribuuesve, duke marrë për bazë atë rritje prej 0.02 % të taksës menaxhuese që shkon për këto shpenzime. Pra, rritja e sigurisë së mjeteve të kontribuuesve përligj rritjen e kësaj kostoje për investimin e mjeteve.
Epoka e re: Çfarë planesh keni për vitin 2014?
Havolli: Sa iu përket projeksioneve për vitin 2014, dua të përmend këtu faktin se taksat menaxhuese që FKPK-së i nevojiten në fushën e operimit dhe investimeve do të jenë në nivel të njëjtë me të këtij viti (2013), pavarësisht rritjes që do të pësojë taksa për investime, pasi rritja e taksës investuese prej 0.02 % do të kompensohet me uljen e taksës operacionale me po aq dhe kështu taksat menaxhuese do të vazhdojnë edhe më 2014-n të jenë gjithsej 0.50 % e mjeteve nën menaxhim.
Me këtë qartësisht FKPK-ja do të vazhdojë të jetë institucioni që më së paku u kushton kontribuuesve për menaxhim e mjeteve të tyre, krahasuar me të gjitha fondet e ngjashme pensionale në vendet e rajonit (Maqedoni, Kroaci, Bullgari, Rumani).
Andaj, ka shumë arsye që 2013-a të vlerësohet vit i suksesshëm për FKPK-në dhe Bordi drejtues shpreh kënaqësinë jo vetëm për: performancën pozitive të investimeve, të rritjes së kontributeve e numrit të llogarimbajtësve, por edhe me menaxhimin ditor të vet FKPK-së dhe prirjes së stafit për ti arritur standardet më të larta të shërbimit ndaj kontribuuesve. Shpresojmë që këto arritje të çmohen nga institucionet drejtuese dhe mbikëqyrëse të FKPK-së, sidomos kontribuuesit.
Vlerësimi që Kuvendi i Kosovës i dha raportit vjetor 2012, pra punës së FKPK-së, ka qenë mjaft domethënës e inspirues për ne.