Hasani inkurajon bizneset e dëmtuara nga reshjet
Prishtinë, 19 mars - Zëvëndesministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani ka vizituar fabrikën për prodhimin e stufave Emaliku në zonën industriale Prishtinë - Fushë Kosovë, e cila ka pësuar dëme si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, me çrast i ishte demoluar rreth 80% e objektit të fabrikës dhe një pjesë e depos së shitjes.
Me këtë rast, zv/ministri Hasani ka inkurajuar drejtuesit e kësaj kompanie që të vazhdojnë punën dhe u ka premtuar se do ta kenë përkrahjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe të ministrive gjegjëse.
Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur që ju ta ndieni sa më pak dëmin që iu është shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore që kanë ndodhur kohëve të fundit, andaj ne do të bëjmë kërkesë te Ministria e Financave dhe te Zyra e Kryeministrit që gjatë importimit të mallrave që janë të nevojshme për ju të liroheni nga taksat, tha Hasani.
Në anën tjetër menaxheri i fabrikës Emaliku, Amir Rrmoku falënderoi zv.ministrin Hasani për interesimin dhe për ndihmën që u ka ofruar, ndërsa ka informuar për dëmet që i janë bërë, që sipas tij fatmirësisht nuk kanw pwrfshirw edhe njerëzit.
Ai ka përmendur dëmet që i janë shkaktuar në makineri, në repromaterial dhe në prodhime finale, të cilat kapin shifrën rreth 200 mijë euro.