Harmonizohen pagat dhe mëditjet për vitin 2012
Mitrovicë, 21 dhjetor - Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës vendosën të premten me shumicë votash që të miratojnë Propozim vendim për lejimin e transferit të mjeteve buxhetore nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, brenda programeve dhe nënprogrameve buxhetore për vitin fiskal 2012.
Kjo ishte edhe pika e vetme e rendit të ditës për të cilën ishte thirrur kjo seancë e jashtëzakonshme, në mënyrë që të fitoj në kohë për të realizuar pagat për muajin 2012.
Drejtori për Financa Ekonomi dhe Zhvillim, Rrustem Abiti, tha se ka qenë kërkesë e Ministrisë së Financave duke u bazuar në Rregulloren e Thesarit Nr.10/2012 që të mbahet kjo mbledhje e jashtëzakonshme për këtë pikë të rendit të ditës që paraprakisht kishte kaluar në Komitet për Politikë dhe Financa.
Është me rëndësi që si organizatë buxhetore Komuna e Mitrovicës është brenda buxhetit të planifikuar për kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
Ai theksoi se harmonizimi i brendshëm në mes programeve dhe nënprogrameve buxhetore nuk paraqet kurrfarë shkeljesh ligjore, për arsye edhe bëhet ky harmonizim i shpenzimit të pagave dhe përmbylljes së shpenzimit të kategorisë buxhetore për paga për vitin 2012.
Pas diskutimeve të shumta të këshilltarëve komunal si të pozitës po ashtu dhe të opozitës kjo pike e rendit të ditës u miratua me 29 vota për, 9 kundër dhe 1 abstenim.