Haradinaj ftoi kompanitë gjermane për investime në Kosovë
Berlin, 15 maj - Kryetari Haradinaj u prit në Odën Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë dhe në Fraksionin e CDU-së për Politikë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe për Europë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në ditën e tretë të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, takoi zyrtarë të lartë nga Oda Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.
Përgjegjësi Ndërkombëtar për këtë zyrë, e njoftoi kryetarin Haradinaj për aktivitetet e Odës Gjermane, organizimin e saj dhe për mundësitë promovuese që kjo odë ofron, në mënyrë që kompanitë gjermane të rrisin prezencën në Kosovë.
Kryetari Haradinaj, me bashkëpunëtorë, u takua edhe me Dr. Andreas Schockenhoff, Kryetar i Fraksionit të CDU për Politikë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe për Europë.
Dr. Andreas Schockenhoff, i cili i shoqëruar nga Këshilltari për Siguri në Bundestag, z. Falenski, bisedoi për sfidat e Kosovës në lidhje me cështjet e integrimeve europiane dhe ato të sigurisë.
Schockenhoff, shprehu qëndrimin se shteti gjerman do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në rrugën drejt integrimeve europiane, por, njëkohësisht, edhe në proceset tjera nëpër të cilat po kalon Kosova, me theks të vecantë në implementimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Në orët e mbrëmjes kryetari Haradinaj do të takojë një grup të qytetarëve nga Kosova, me qëndrim të përkohshëm në Gjermani, kurse nesër do të ketë takime në MPJ të Gjermanisë, duke filluar me Lambsdorf, i ngarkuar i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Europën Juglindore dhe shtetet e BE-së.
Foto: Nga takimi Dr. Andreas Schockenhoff, Kryetar i Fraksionit të CDU për Politikë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe për Europë