Haradinaj: Do ti zgjidhim kërkesat krejt legjitime të pensionistëve të Kosovës
Prishtinë ,1 shkurt - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë, ka pritur të shtunën (sot) një delegacion të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj, Shaban Kajtazi.
Kryetari Haradinaj, pasi ka dëgjuar për preokupimet dhe angazhimet e këtij subjekti, ka premtuar mbështetjen e tij dhe të AAK-së dhe përkushtimin që të zgjidhen përfundimisht çështjet dhe kërkesat legjitime të tyre.
Kryetari Haradinaj dhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, z. Kajtazi, janë dakorduar për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, në mënyrë që nevojat dhe kërkesat e pensionistëve të Kosovës të zgjidhen përfundimisht.
Kryetari Haradinaj e ka cilësuar çështjen e pensionistëve të vendit, si një prej temave esenciale që kërkojnë zgjidhje të domosdoshme, drejt hapave të tjerë të mirëqenies dhe zhvillimit të vendit tonë.