Haradinaj: Buxhet i thellimit të varfërisë
Prishtinë, 22 dhjetor - \"Projektbuxheti për vitin 2015 është një buxhet i thellimit të varfërisë dhe papunësisë. Vendi me këtë qeverisje, shkon drejtë mjerimit. Nuk do të ketë asnjë trend për vende të reja të punës. Ky nuk është një buxhet zhvillimor dhe se Kosova në aspektin e zhvillimit ekonomik, do të stagnoj.\"
Kështu pohoi deputeti nga radhët e AAK-së, njëherit dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet projekt buxheti për vitin 2015.
Haradinaj tha se kjo Qeveri nuk pret asnjë investim serioz në rritjen e kapaciteteve ekonomike në vend. Nuk ka paraparë reformë fiskale për krijimin e klimës së biznesit dhe thithjes së investimet dhe se me këtë projekt buxhet, sipas tij parashihet që të hyrat serish të krijohen nga doganat, ku Qeveria vazhdon të marrë para nga bizneset.
Megjithëse me këtë projektbuxhet, është paraparë rritje ekonomike prej 4.3 për qind, Haradinaj thotë se edhe pse kjo rritje nuk është e besueshme, kjo nuk e ulë papunësinë dhe varfërinë. Ky projektbuxhet, sipas tij nuk duhet të miratohet por duhet të ribëhet dhe diskutohet në Parlament.
Ai tha se koalicioni e ka kapacitetin te ndikoje në gjendjen ekonomike në vend, duke i ndryshuar politikat fiskale, si kalimi në taksën e sheshtë dhe reduktimi i Qeverisë së Kosovës në 10 ministri.
Meqenëse po krijoni një Qeveri të madhe, ju mund ta përgatisni një ligj për Qeverinë, me reduktu qeverinë në 10 ministri. Me reduktu numrin e zyrtarëve politik dhe me dhënë një mesazh që një taksë e sheshtë dhe një qeveri racionale qe japin shpresë për ndryshim. E kam një lutje. Mendojmë që nuk është momenti me përmbyll akomodimin me zëvendësministrat. Të mos ketë mbi një zëvendës ministër për një ministri. Na vjen keq që Kosova në këtë moment, nuk e merr një lajm të mirë, për një buxhet që ndryshon gjendjen, tha Haradinaj.