Hapet Zyra Ekonomike Tregtare, Indi-Kosovë
New Delhi, 4 nëntor - Në kryeqytetin e Indisë New Delhi, është hapur Zyra Ekonomike Tregtare, Indi-Kosovë IKCEO.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, Ambasada e Kosovës në Bangladesh, përkatësisht ambasadori Gyner Ureja.
“Ne mirëpresim dhe mbështesim iniciativat e bazuara në bashkëpunim dhe rezultate konkrete”, ka shkruar ambasadori.
Në kumtesë, shprehet bindja se IKCEO do të bëjë përpjekje të konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Indisë.
“Ne mirëpresim vendimin e grupit të biznesmenëve nga India për të krijuar Zyrën. Besojmë se IKCEO do të luajë një rol në institucionalizimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve, në rrethanat aktuale”, përfundon postimi.
Ndryshe, drejtuesit e zyrës i kanë thënë Radio Kosovës, se objektivi i zyrës është të ndihmojë në promovimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e lidhjeve midis vendit më të madh bujqësor në botë dhe vendit më të ri të Evropës.
Drejtoresha e zyrës Payal Kanodia ka thënë në ceremoni se gjatë vizitës në Kosovës, ka parë shumë potencial në bashkëpunim tregtar.
“Jam shumë e emocionuar pasi mund të shoh shumë potencial në Kosovë për të sjellë mallra në Indi si dhe nga India për të dërguar në Kosovë,” tha znj. Kanodia, e cila konsideron se lokacioni strategjik i Kosovës është një mundësi për korporatat indiane.
“Bëni biznes atje pasi është një parajsë fiskale për indianët”, ka shtuar ajo.
E presidenti i Organizatës Ekonomike Tregtare Indiane, Dr. Asif Iqbal ka thënë se Kosova ka një kulturë të plotë evropiane dhe është një vend shumë i qetë.
“Për dikë që është i interesuar për resorte dhe hotele, ofron mundësi të shkëlqyera. Ka shumë mundësi për prodhimin e tekstilit. Arsimi gjithashtu është një segment shumë i rëndësishëm atje pasi ka shumë shkolla amerikane. Ka perspektiva të ndryshme për t'u angazhuar me Kosovën,” ka thënë Dr. Iqbal.
Pas hapjes së zyrës në New Delhi, zyre e njëjtë pritet të hapet edhe në Kosovë.