Hapet restoranti i parë me hamburger në Kubë
Havana, 17 gusht - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry mori pjesë të premten në ceremoninë historike të ngritjes së flamurit amerikan në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Havanë të Kubës.
Me këtë rast, gatimet tradicionale amerikane ofrohen nga La Pachanga, restoranti i parë i hamburgerave në Kubë.
Një hamburger the patate të skuqura janë një ushqim klasik amerikan, por ky është një restorant në Havanë të Kubës.
Këtë vit marrëdhëniet mes dy rivalëve të vjetër janë zbutur. Në dhjetor 2014, Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai kubanez Raul Castro deklaruan synimin e tyre për të përmirësuar marrëdhëniet.
Presidenti Obama ka ndërmarrë hapa për lehtësimin e embargos ekonomike ndaj Kubës dhe vendimin muajin e kaluar për të rihapur ambasadat.
Me rastin e ceremonisë për hapjen e ambasadës amerikane në Havanë të premten, nga Sekretari i Shtetit John Kerry, ushqimi do të ofrohet nga restoranti i parë i hamburgerave në Kubë, La Pachanga.
Ndërsa Kuba përgatitet për një fluks turistësh amerikanë, Sergio Rafael Alba Marin, përfitoi nga mundësia e krijuar nga masat lehtësuese ekonomike për të hapur restorante private, dhe hapi vendin e parë ku serviren hamburger dhe pizza.
Restorantet private ofrojnë shërbim dhe ushqim shumë më të mirë sesa ato qeveritare.
Tek La Pachanga, hamburgeri më popullor Hamburguesa Super Pachanga, kushton 6 peso kubaneze ose 6 dollarë.
La Pachanga është një gjini muzikore kubaneze dhe do të thotë edhe festë dhe hare. Restoranti është i hapur pothuajse 24 orë.
\"McDonalds është gjithmonë frymëzimi për të gjithë ata që hapin një restorant fast food dhe kështu ishte edhe për ne. Hamburgeri pëlqehet nga të gjithë dhe është i lehtë për tu përgatitur. Ne filluam ta servirim dhe ishte artikulli ynë më i pëqlyer, thotë pronari Alba Marin.
Por Enoch Tamayo Acosta, një kuzhinier lokal dhe kritik restorantesh nuk mendon se mund të quhet fast food, ose ushqim i shpejtë.
Nuk është fast food sepse u mungon teknologjia që të gatuajnë shpejt, prandaj nuk mund ta quajnë fast food.
La Pachanga u zgjodh për të përgatitur ushqimin për personelin e ambasadës, gjatë vizitës së zotit Kerry, thotë Alba Marin.
Kuba nuk është e njohur për gatimet e saj dhe kishte mjaft kufizime gjatë dekadave nën komunizëm, thotë Tamayo Acosta.
Është e pamundur të pushtosh tregun amerikan me ushqim kubanez. Mund të hapësh një restorant, por nuk kemi një ushqim të veçantë që njihet në botë.
Por William, një turist nga Alabama thotë se hamburgerët në La Pachanga janë më të mirë sesa në McDonalds.
Është më natyral. Buka e McDonaldsit është më bajate, këtu është më e freskët. Është e mirë për standardet kubaneze.
Edhe Zane, një turist nga Missouri mendon se përvoja ishte më pozitive sesa në një restorant amerikan hamburgerash.
Mendoj se njerëzve u pëlqen këtu më shumë. Atmosfera është më e ngrohtë, jo komercialiste. Hamburgeri është më i mirë dhe mund të vish me familjen, me miqtë dhe e shijon. Është më mirë.
Prenotimet për udhëtime në Kubë u rritën 57 për qind për një kompani turistike në Nju Jork, në javët pas lajmit për rifillimin e marrëdhënieve, në janar. Në shkurt, ato ishin rritur 187 për qind dhe në fund të marsit mbi 250 për qind.
Turizmi, një industri prej mbi 2.6 miliardë dollarësh është një nga instrumentat kryesorë që ka mundësuar një farë ecurie ekonomike në Kubë. Në vitin 2014, 3 milionë turistë vizituan vendin, një shifër rekord.
Zyrtarët kubanezë, vlerësojnë se 1.5 milionë amerikanë do të vizitojnë Kubën çdo vit nëse hiqen të gjitha kufizimet, duke ia kaluar Kanadasë si burimi numër 1 i turizmit dhe duke shtuar rreth 2 miliardë dollarë në arkën e shtetit.
Ky është lajm i mirë për restorantet e hamburgerave, që janë që tani me dhjetra në Havanë. Megjithatë
Alba Marin i restorantit La Pachanga thotë se kostoja e lartë e menaxhimit të restorantit, do të thotë që nuk ka gjasa që ai të bëhet milioner së shpejti.