Hapet panairi i punësimit me bankat komerciale në Kosovë
Panairi u organizua nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe në të morën pjesë pesë banka komerciale: Raiffeisen Bank, Pro Credit Bank, NLB Prishtina, Banka Kombetare Tregtare dhe İşBank.
Përfaqësuesit e bankave shpalosën para të interesuarve mundësitë që ofrojnë për praktikë profesionale dhe punësim, teksa mblodhën CV të kandidatëve që shfaqën interesim për tu punësuar në sektorin bankar.
Panairi i sotëm ishte një mundësi për studentët apo të diplomuarit që të takohen sy më sy me përfaqësues të bankave, të cilët rekrutojnë kandidatë të suksesshëm për punë. Ai ofroi një pasqyrë më reale të tregut të punës në industrinë bankare, që është mjaft akraktive për të rinjtë. Në këtë mënyrë studentët patën mundësinë që ta kuptojnë se tregu është mjaft konkurrues dhe ata duhet të përgatiten mirë profesionalisht që të arrijnë të punësohen.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija theksoi rëndësinë e angazhimit të të gjithëve për uljen e papunësisë në Kosovë.
Punësimi është çelësi i shumë prej problemeve me të cilat ballafaqohet shteti ynë i ri. Prandaj është me rëndësi që të vëhen në lëvizje jo vetëm qeveria e Kosovës por edhe sektori privat, organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile, universitetet dhe kolegjet si dhe mediat në mënyrë që të gjithë të kontribojmë në uljen e papunësisë për të përmiresuar perspektivën e të rinjëve në Kosovë, tha ai.
Panairi i punësimit me bankat komerciale në Kosovë është pjesë e fushatës së Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik.