19 Nëntor 2024

Hapet Panairi i Grave në Lidership dhe Ndërmarrësi

Prishtinë, 7 shtator - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Qendrën Juglindore për mësim në ndërmarrësi,  sot mbajti ditën e parë të Konferencës dhe Panairin e Grave në Lidership dhe Ndërmarrësi.

Kjo konferencë është pjesë e organizimit të “Ditëve të Biznesit të Vogël”, në kuadër të Agjencisë Mbështetëse për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, dhe që ka për qëllim fuqizimin e potencialit për ndërmarrësi tek gratë në Kosovë.

Konferenca është hapur me fjalimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila e përshëndeti këtë iniciativë të Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë se ndihet shumë mirë që tashmë kjo iniciativë është kthyer në traditë të promovimit të grave në biznes.

Ndër të tjera, Presidentje Jahjaga theksoi: “Më vjen mirë të shoh gra të fuqishme nga  çdo fushë të jetës dhe që ky event ka një dimension rajonal, duke portretizuar fuqizimin e gruas si një qëllim të përbashkët që na bashkon përtej kufijve, përtej ndryshimeve që mund të kemi”.
 
Ndërkaq, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Mimoza Kusari Lila potencoi që kjo Konferencë dhe ky Panair po organizohet me qëllim që të frymëzojë dhe ndihmojë në rritjen dhe avancimin e potencialit të grave në Kosovë dhe diskutimit të alternativave dhe politikave të cilat kanë për fokus fuqizimin e rolit të grave në shoqërinë kosovare.

Më pas ajo theksoi se koordinimi më i mirë në mes grave, ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta, puna dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre i ndihmon gratë që të marrin rolin që u takon në shoqëri. 

“Padyshim një ndër sfidat kryesore të Kosovës është fakti se gratë ende janë një grup “ i lënë anash” në shoqërinë kosovare, pak a shumë në një pozitë që gjenden edhe gratë në vendet e tjera të rajonit, prandaj fuqizimi i grave në pozitat e lidershipit, si në atë politik po ashtu edhe atë biznesor, duhet të jetë padyshim prioriteti kryesor shoqëror”, theksoi  Ministrja  Kusari  Lila.

Për më shumë, kjo konferencë kishte mysafirë nga rajoni, duke potencuar pjesëmarrjen dhe fjalimin e    Zv. Ministrit të Ndërmarrësisë dhe Veprave Artizanale në Republikën e Kroacisë, z. Dražen Pros i cili  potencoi krijimin e strategjisë për zhvillimin e ndërmarrësisë tek gratë në Kroaci. Së fundi, z. Pros potencoi që ndërmarrësia tek gratë nuk është çështje gjinore, por ekonomike.

Gjatë dy ditëve të Konferencës do të diskutohet për një mori çështjesh me interes të veçantë për rolin e grave: zgjerimin e mundësive për përfshirjen e grave në vendim-marrje, rolin e femrave ndërmarrëse si një motor për krijimin e vendeve të punës në Evropën Juglindorë- Perspektiva rajonale dhe arritjet në këtë fushë, fuqizimi ekonomik i grave përmes ndërmarrësisë si dhe koordinimi më i mirë i donatorëve rreth çështjeve që kanë të bëjnë me pozitën e gruas.

Pjesë e konferencës janë edhe gra të profesioneve të ndryshme nga Kosova, rajoni dhe bota. Kjo konferencë do të përmbyllet me 8 Shtator, ku gjithnjë është përcjell me panairin që përmban eksponate të bizneseve që udhëhiqen nga gratë. Ky është viti i dytë me radhë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizon këtë aktivitet. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)