Hapet Forumi për krijimin e Unionit të Bizneseve të Diasporës
Ministria e Diasporës, si bartëse e këtij projekti, për tre ditë do të jetë nikoqir i afaristëve nga diaspora gjatë vizitave të shumta nëpër komunat e Kosovës ku do të njoftohen me mundësitë e të bërit biznes në Kosovë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se Ministria e Diasporës së bashku me vet pjesëtarët e diasporës, me qëllim të pjesëmarrjes sa më direkte të mërgatës në zhvillimin e vendit, ka arritur të identifikoj format dhe mënyrat më të mira të bashkëveprimit. Në këtë kuadër ka filluar edhe themelimi apo krijimi i rrjeteve të biznesit të diasporës.
"Që në krijimin e rrjeteve të para të bizneseve, kemi qenë të bindur që ky projekt do të jetë një arritje e madhe për të gjithë ne, pasi që frytet e para të bashkëpunimit në mes afaristëve shqiptarë në diasporë, janë shfaqur që në fillim."
"E, edhe takimi i sotëm dhe pjesëmarrja e të gjithë juve këtu me ne, është një indikator që tregon që bashkëpunimi në mes afaristëve nga diaspora dhe institucioneve të Republikës së Kosovës ka filluar të jetë më konkret dhe më serioz, theksoi Makolli.
.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, nga ana tjetër, theksoi nevojën e bizneseve të Diasporës për investime në Republikën e Kosovës, si dhe shprehi përkushtimin e dikasterit që drejton në krijimin e lehtësirave të shumta për të gjithë afaristët të cilët kanë projekte për të ndihmuar ekonominë kosovare.
Dy afaristët e suksesshëm, Lazim Destani dhe Elmi Berisha, përfaqësues të rrjeteve të biznesit në Evropë, përkatësisht ShBA, shprehën gatishmërinë e tyre për eksplorimin e mëtejm të tregut Kosovar, ndërsa bënë thirrje edhe bizneseve të tjera nga diaspora që të bëhen pjesë e këtij Unioni, një nismë e cilësuar si jashtëzakonisht e rëndësishme.