Hapet Forumi Ekonomik i Diasporës Shqiptare
Presidenti e ka quajtur këtë një iniciativë shembullore dhe ka thënë se puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të shtetit tonë.
“Diaspora, gjatë tërë historisë, ka qenë një nga faktorët kryesorë në çdo zhvillim në Kosovë. Falë kontributit të shumanshëm të diasporës, populli i Kosovës arriti të mbajë gjallë organizimin dhe solidaritetin shoqëror”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se në shkurt të vitit të ardhshëm e shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe Kosova më nuk është në fazën e mbijetesës apo të rindërtimit, por është shtet në zhvillim.
“Bashkëpunimi ynë me diasporën duhet të ndryshojë në mënyrë kualitative dhe të orientohet kah zhvillimi, jo më kah mbijetesa e Kosovës. Jemi konsoliduar si shtet, brenda dhe ndërkombëtarisht. Puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin e shtetit tonë, si shteti më i ri, me popullatën më të re në Evropë, si shtet me potenciale ekonomike të mëdha që presin të shfrytëzohen”, ka thënë presidenti Thaçi.
Në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare, kreu i shtetit ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë më 2008 është ruajtur trendi pozitiv i rritjes ekonomike.
“Kemi investuar në infrastrukturë, duke ndërtuar rrugë dhe autostrada. Që kur kemi ndërtuar autostradën me Shqipërinë, shkëmbimi ynë ekonomik në mes vendeve tona është shtuar për disa herë. Me Bashkimin Evropian kemi punuar në lehtësimin e kushteve për regjistrim dhe funksionim të bizneseve. Kemi miratuar Ligjin për Investime Strategjike për të lehtësuar lidhjen e kontratave për investimet që Qeveria i cilëson me interes strategjik për shtetin dhe shoqërinë. Angazhimin tonë në këtë drejtim e konfirmon edhe vlerësimi i Bankës Botërore, që çdo vit e rendit Kosovën lart e më lart në raportin e të bërit biznes”, ka thënë presidenti Thaçi.
Si rezultat i reformave ekonomike, presidenti Thaçi ka thënë se janë edhe nënshkrimi i MSA-së dhe pranimi i Kosovës në programin e Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit.
Ai ka thënë se është investuar edhe në arsim, duke hapur qendra të shkollimit të lartë nëpër tërë Kosovën, sepse rinia jonë duhej të bëhej fuqi punëtore e specializuar dhe e gatshme të konkurrojë me fuqinë punëtore në Evropë, me aftësitë dhe profesionalizmin e vet.
“Të gjitha këto krijojnë mundësi për zhvillim të gjithanshëm të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se Kosova është zhvilluar dhe ka ndryshuar shumë, porse diçka ka mbetur pa ndryshuar.
Ky është fakti që sa herë jemi bërë bashkë, sipas presidentit Thaçi, kemi realizuar çdo ëndërr dhe çdo dëshirë.
Prandaj është i vlefshëm ky forum, ka thënë ai, sepse po bëhen bashkë të gjithë afaristët për të punuar dhe për ta zhvilluar Kosovën.
Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me këtë rast tha se gjaku, gjuha dhe flamuri na ka mbajtur shqiptarë ndër shekuj dhe tani duhet t’ia shtojmë edhe një shtyllë shumë të fortë, ekonominë.
“Ndryshe thënë, ju na mbani, na ruani, na forconi. Pra, ju, që jeni në këtë sallë. Buxheti i Kosovës është 2 miliardë, në këtë sallë ka më shumë. Ata që kanë besuar se shqiptarët gjunjëzohen, ndalen dhe nuk dinë të ecin rrugës së tyre, e kanë kuptuar me kohë se jemi popull që kemi vizion. Vizioni ynë është i vërtetë, është euro-atlantik”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke potencuar se në këtë vizion askush nuk ka dilema, sepse jemi Evropë, por edhe kemi një miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila është e shenjtë dhe do të mbetet gjithnjë.
Kryeministri tha se projektet dhe idetë e biznesmenëve, Qeveria do t’i zbaton, duke numëruar tri shtylla që duhet t’i bëjë ekzekutivi për të përmirësuar klimën e sipërmarrësve dhe prodhuesve, si politikat fiskale, rendin dhe ligjin dhe logjistikën.
Ai tha po ashtu se këto ditë është marrë vendimi për lirimin e tërësishëm nga tatimet për import për lëndën e parë dhe gjysmëproduktet për të gjithë prodhuesit e vendit. “Tashmë është definitive. Këto vendime janë në fuqi. Kemi aprovuar edhe në Komisione, ndërsa do të fillojnë të krijojnë efekt material nga data 1 janar 2018”, tha kryeministri, duke theksuar se kushdo që prodhon në Kosovë, nuk do të jetë më i pabarabartë ose në pozitë më të vështirë se prodhuesit në rajon.